Revised Common Lectionary (Complementary)
106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.
6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.
7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.
8 Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9 I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.
10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.
11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.
12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.
27 Kur Isaku u plak dhe sytë e tij u dobësuan aq shumë sa nuk shikonte më, ai thirri të birin Esau dhe i tha: "Biri im!".
2 Esau i tha: "Ja ku jam!". Atëherë Isaku i tha: "Ja, unë jam plak dhe nuk e di në ç’ditë kam për të vdekur.
3 Prandaj merr tani armët e tua, kukurën dhe harkun tënd, dil nëpër fushat dhe kap për mua kafshë gjahu;
4 pastaj më përgatit një gjellë të shijshme nga ato që më pëlqejnë dhe sillma, që unë ta ha dhe shpirti im të të bekojë para se të vdes".
5 Tani Rebeka rrinte duke dëgjuar, ndërsa Isaku i fliste birit të tij Esau. Kështu Esau shkoi nëpër fusha për të gjuajtur kafshë të egra për t’ia shpënë të atit.
6 Atëherë Rebeka i foli Jakobit, birit të saj, dhe i tha: "Ja, unë dëgjova babanë tënd që i fliste Esaut, vëllait tënd duke i thënë:
7 "Më sill gjah dhe më përgatit një gjellë të shijshme, që unë ta ha dhe të të bekoj në prani të Zotit, para se të vdes".
8 Prandaj, biri im, bindju zërit tim dhe bëj atë që të urdhëroj.
9 Shko tani në kope dhe më sill dy keca të mirë; unë do të përgatis një gjellë të shijshme për babanë tënd, nga ato që i pëlqejnë atij.
10 Pastaj ti do t’ia çosh babait tënd që ta hajë, dhe kështu ai do të bekojë para se të vdesë".
11 Jakobi i tha Rebekës, nënës së tij: "Ja, vëllai im Esau është leshtor, ndërsa unë e kam lëkurën të lëmuar.
12 Ndofta babai im më prek me dorë; do t’i dukem atij mashtrues dhe do të tërheq mbi vete një mallkim në vend të një bekimi".
13 Por nëna e tij iu përgjegj: "Ky mallkim le të bjerë mbi mua, biri im! Bindju vetëm asaj që të thashë dhe shko të marrësh kecat".
14 Ai vajti pra t’i marrë dhe ia çoi nënës së tij; dhe e ëma përgatiti me to një gjellë të shijshme, nga ato që i pëlqenin babait të tij.
15 Pastaj Rebeka mori rrobat më të bukura të Esaut, birit të saj më të madh, që i mbante në shtëpi pranë vetes, dhe ia veshi Jakobit, birit të saj më të vogël;
16 dhe me lëkurët e kecave veshi duart e tij dhe pjesën e lëmuar të qafës së tij.
17 Pastaj vuri në dorë të Jakobit, birit të saj, gjellën e shijshme dhe bukën që kishte përgatitur.
18 Atëherë ai shkoi tek i ati dhe i tha: "Ati im!". Isaku u përgjegj: "Ja ku jam; kush je ti, biri im?".
19 Atëherë Jakobi i tha babait të tij: "Jam Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më ke thënë. Tani çohu, ulu dhe fillo të hash nga gjahu im, me qëllim që shpirti yt të më bekojë".
20 Por Isaku i tha të birit: "Por si bëre që e gjete kaq shpejt, biri im?". Ai u përgjegj: "Sepse Zoti, Perëndia yt, bëri që të vijë tek unë".
21 Atëherë Isaku i tha Jakobit: "Afrohu dhe lërmë të të prek, biri im, për të ditur nëse je pikërisht biri im Esau ose jo".
22 Dhe kështu Jakobi iu afrua Isakut, babait të tij; dhe mbasi ky e preku me dorë, tha: "Zëri është i Jakobit, por duart janë duart e Esaut".
23 Kështu ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore ashtu si duart e vëllait të tij Esau; dhe e bekoi.
24 Dhe tha: "A je ti me të vërtetë biri im Esau?". Ai u përgjigj: "Po".
25 Atëherë Isaku i tha: "Më shërbe që të ha nga gjahu i birit tim dhe shpirti im të të bekojë". Kështu Jakobi i shërbeu dhe Isaku hëngri. Jakobi i solli edhe verë dhe ai e piu.
26 Pastaj babai i tij Isaku i tha: "Tani afrohu dhe më puth, biri im".
27 Dhe ai u afrua dhe e puthi. Dhe Isaku ndjeu erën e rrobave të tij dhe e bekoi duke thënë: "Ja, era e tim biri është si era e një fushe, që Zoti e ka bekuar.
28 Perëndia të dhëntë vesën e qiellit dhe pjellorinë e tokës, si edhe bollëkun e grurit dhe të verës.
29 Të shërbefshin popujt dhe kombet u përkulshin para teje. Qofsh pronar i vëllezërve të tu dhe bijtë e nënës sate u përkulshin para teje. I mallkuar qoftë cilido të mallkon, i bekuar qoftë cilido të bekon!".
16 Dhe unë po jua rekomandoj Febën, motrën tonë, që është dhjake e kishës që ndodhet në Kenkrea,
2 që ta pranoni në Zotin, sikurse u ka hije shenjtorëve, dhe ta ndihmoni në çdo gjë që të ketë nevojë nga ju, sepse edhe ajo ka ndihmuar shumë veta, edhe mua vetë.
3 U bëni të fala Prishilës dhe Akuilës, bashkëpunëtorë të mi në Krishtin Jezus,
4 të cilët për jetën time vunë kokën në rrezik; ata i falendëroj jo vetëm unë, por të gjitha kishat e johebrenjve.
5 I bëni të fala edhe kishës që është në shtëpinë e tyre, të fala edhe Epenetit tim të dashur, i cili është fryti i parë i Akaisë në Krishtin.
6 Të fala Marisë, e cila u mundua shumë për ne.
7 Të fala Andronikut dhe Juniës, kushërinj të mi dhe shokë burgu, të cilët janë dalluar midis apostujve dhe kanë qenë në Krishtin përpara meje.
8 Të fala Ampliut, të dashurit tim në Zotin.
9 Të fala Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në Krishtin dhe Stakit tim të dashur.
10 Të fala Apelit, të provuarit në Krishtin. Të fala atyre të shtëpisë së Aristobulit.
11 Të fala Herodionit, kushëririt tim. Të fala atyre të shtëpisë së Narkisit që janë në Zotin.
12 U bëni të fala Trifenës dhe Trifozës, të cilat mundohen në Zotin. Të fala Persidës së dashur, e cila është munduar shumë në Zotin.
13 Të fala Rufit, të zgjedhurit në Zotin, dhe nënës së tij që është edhe imja.
14 Të fala Asinkritit, Flegontit, Ermës, Patrobës, Ermit dhe vëllezërve që janë me ta.
15 Të fala Filologut, Julisë, Nereut dhe motrës së tij Olimpës, dhe gjithë shenjtorëve që janë me ta.
16 Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur të shenjtë; kishat e Krishtit ju përshëndesin.