Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 138

138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,

dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.

Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.

Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

Ezekieli 28:11-19

11 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

12 "Bir njeriu ngri një vajtim për mbretin e Tiros dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ti ishe vula e përsosmërisë, tërë dituri dhe i përsosur nga bukuria.

13 Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë; ishte mbuluar me lloj lloj gurësh të çmuar: rubina, topaze, diamante, krizolit oniks, diaspre, safire, karbonke, smeralde dhe ar; punimi i dajreve të tua dhe i flauteve të tua u përgatit për ty ditën që ti u krijove.

14 Ti ishe një kerubin i vajosur, një mbrojtës. Unë të kisha vënë në malin e shenjtë të Perëndisë dhe ti ecje në mes gurësh zjarri.

15 Ti ishe i përsosur në rrugët e tua qysh nga dita që u krijove, deri sa nuk u zbulua te ti çoroditja.

16 Nga shkaku i bollëkut të tregtisë sate, u mbushe me dhunë dhe mëkatove; prandaj të kam përzënë si një profan nga mali i Perëndisë dhe të kam shkatërruar, o kerubin mbrojtës në mes gurësh zjarri.

17 Zemra jote ishte ngritur për bukurinë tënde; ke korruptuar diturinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd. Unë po të hedh për tokë, po të vë përpara mbretërve, me qëllim që të të shohin.

18 Në morinë e paudhësive të tua, me ligësinë e tregtisë sate ke përdhosur shenjtëroret e tua. Prandaj nxora nga mesi yt një zjarr që të ka gllabëruar, dhe të kam katandisur në hi mbi tokë përpara syve të atyre që të shikonin.

19 Tërë ata që të njihnin ndër popujt mbeten të habitur prej teje; je bërë objekt tmerri dhe nuk do të ekzistosh kurrë më".

1 e Korintasve 6:1-11

A guxon ndonjë nga ju, kur ka ndonjë çështje kundër një tjetri, të gjykohet përpara të padrejtëve dhe jo përpara shenjtorëve?

A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të zotët të gjykoni gjërat më të vogla?

A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete!

Pra, në qoftë se keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, vini gjykatës ata që çmohen më pak në kishë.

Këtë e them për turpin tuaj. Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, i cili të jetë i zoti të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?

Por një vëlla hyn në gjyq me të vë-llanë, dhe kjo përpara të pabesëve.

Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?

Po, përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këto ua bëni vëllezërve.

A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët,

10 as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

11 Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.