Revised Common Lectionary (Complementary)
78 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
2 Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
3 Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
4 nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
5 Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
6 me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre,
7 dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
8 dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.
17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,
18 dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.
19 Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?
20 Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t’i japë bukë dhe mish popullit të tij?
21 Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,
22 sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.
23 Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,
24 dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.
25 Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.
26 Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,
27 bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.
28 Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.
29 Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.
2 Dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit në shkretëtirë.
3 Bijtë e Izraelit u thanë atyre: "Ah, le të kishim vdekur nga dora e Zotit në vendin e Egjiptit, ku uleshim pranë tenxhereve me mish dhe hanim bukë sa ngopeshim! Sepse ju na çuat në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria tërë kjo asamble".
4 Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të bëj që të bjerë manë mbi juve nga qielli; dhe populli do të dalë çdo ditë për të mbledhur racionin e ditës, sepse unë dua ta vë në provë për të parë në se do të ecë ose jo simbas ligjit tim.
5 Por ditën e gjashtë, kur do të përgatisin nozullimin që duhet të çojnë në shtëpi, ai do të jetë dyfishi i atij që mbledhin çdo ditë".
6 Atëherë Moisiu dhe Aaroni u thanë gjithë bijve të Izraelit: "Në mbrëmje do të mësoni që Zoti është ai që ju nxori nga vendi i Egjiptit;
7 dhe në mëngjes keni për të parë lavdinë e Zotit, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër Zotit; por ne çfarë jemi që murmurisni kundër nesh?".
8 Moisiu tha akoma: "Kjo ka për të ndodhur, kur Zoti do t’ju japë mish për të ngrënë në mbrëmje dhe bukë që të ngopeni në mëngjes, sepse Zoti i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Po ne çfarë jemi? Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Zotit".
9 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Thuaji gjithë asamblesë së bijve të Izraelit: "Afrohuni para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja"".
10 Ndërsa Aaroni i fliste tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ata u sollën drejt shkretëtirës; dhe ja lavdia e Zotit u shfaq në re.
11 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
12 "Unë i dëgjova murmuritjet e bijve të Izraelit; folu atyre, duke thënë: Në të ngrysur do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë; dhe doo të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj"".
13 Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit.
14 Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë.
15 Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njeri tjetrit: "Çfarë është?," sepse nuk e dinin se ç’ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë.
31 Dhe shtëpia e Izraelit e quajti Mana; ajo ishte e ngjashme me farën e koriandrit, e bardhë dhe me shijen e revanisë që bëhet me mjaltë.
32 Pastaj Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar: "Mbush me të një omer, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj, që ata të shohin bukën që ju bëra të hani në shkretëtirë, kur ju nxora nga vendi i Egjiptit"".
33 Moisiu i tha pastaj Aaronit: "Merr një enë, vër brenda saj një omer të plotë mane dhe vendose para Zotit, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj".
34 Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, Aaroni e vendosi para Dëshmisë, që të ruhej.
35 Dhe bijtë e Izraelit hëngrën manën dyzet vjet, deri sa arritën në një vend të banuar; hëngrën manën deri sa arritën në kufirin e vendit të Kanaanit.
32 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: “Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t’i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës.”
33 Dhe dishepujt e tij i thanë: “Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?.”
34 Dhe Jezusi u tha atyre: “Sa bukë keni?.” Ata thanë: “Shtatë dhe pak peshq të vegjël.”
35 Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.
36 Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.
37 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.
38 Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
39 Pastaj, mbasi e lejoi turmën, hipi në barkë dhe u drejtua për në krahinën e Magdalas.