Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 78:1-8

78 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.

Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.

Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,

nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.

Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre,

me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre,

dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;

dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.

Psalmet 78:17-29

17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,

18 dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.

19 Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?

20 Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t’i japë bukë dhe mish popullit të tij?

21 Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,

22 sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.

23 Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,

24 dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.

25 Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.

26 Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,

27 bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.

28 Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.

29 Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.

Ligji i Përtërirë 26:1-15

26 "Kur të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, dhe ta shtiesh në dorë dhe të banosh në të,

do të marrësh disa nga prodhimet e para të të gjitha prodhimeve të tokës të mbledhura nga ti në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, do t’i vësh në një shportë dhe do të shkosh në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.

Pastaj do t’i paraqitesh priftit në funksion ato ditë dhe do t’i thuash: Unë i deklaroj sot Zotit, Perëndisë tënd, që kam hyrë në vendin që Zoti uu betua t’u japë etërve tanë".

Atëherë prifti do të marrë shportën nga duart e tua dhe do ta vërë përpara altarit të Zotit, Perëndisë tënd;

dhe ti do të përgjigjesh duke thënë para Zotit, Perëndisë tënd: "Ati im ishte një Arameo para se të vdesë; ai zbriti në Egjipt dhe banoi aty si i huaj me pak njerëz; aty u bë një komb i madh, i fuqishëm dhe i shumtë.

Por Egjiptasit na trajtuan keq, na shtypën dhe na imponuan një skllavëri të rëndë.

Atëherë bërtitëm dhe Zoti, Perëndia i etërve tanë, e dëgjoi zërin tonë, pa dëshpërimin tonë, punën tonë të rëndë dhe shtypjen tonë.

Kështu Zoti na nxori nga Egjipti me një dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë, me gjëra të tmerrshme e me mrekulli dhe me shenja;

pastaj na solli këtu dhe na dha këtë vend, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.

10 Dhe ja tani unë solla prodhimet e para të tokës që ti, o Zot, më ke dhënë!". Do t’i vendosësh para Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të biesh përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd;

11 dhe do të gëzoheni, ti, Leviti dhe i huaji që ndodhet në radhët e tua për të mirat që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate.

12 Kur të kesh mbaruar së dhëni tërë të dhjetat e të ardhurave të tua në vitin e tretë, viti i të dhjetave, dhe ua ke dhënë Levitit, të huajit, jetimit dhe gruas së ve, me qëllim që t’i hanë brenda portave të tua dhe të ngopen,

13 do të thuash përpara Zotit, Perëndisë tënd: "Unë kam hequr nga shtëpia ime atë që është shenjtëruar dhe ua kam dhënë Levitit, të huajit, jetimit dhe gruas së ve, në bazë të të gjitha gjërave që më ke urdhëruar; nuk kam shkelur as kam harruar asnjë nga urdhrat e tua.

14 Nuk i hëngra gjatë zisë sime, nuk mora prej tyre kur isha i papastër dhe nuk ua ofrova të vdekurve; iu binda zërit të Zotit, Perëndisë tim, dhe veprova në bazë të të gjitha gjërave që më ke urdhërar.

15 Kthe ndaj nesh vështrimin tënd nga banesa jote e shenjtë, nga qielli, dhe beko popullin tënd të Izraelit dhe vendin që na ke dhënë, siç iu betove etërve tanë, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.

Veprat e Apostujve 2:37-47

37 Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u pikëlluan në zemër dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: “Vëllezër, ç’duhet të bëjmë?.”

38 Atëherë Pjetri u tha atyre: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.

39 Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë.”

40 Dhe me shumë fjalë të tjera u përbetohej dhe i nxiste, duke thënë: “Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur!.”

41 Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta.

42 Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje.

43 Dhe të gjithëve u kishte hyrë druajtja; dhe shumë shenja e mrekulli bëheshin nga dora e apostujve.

44 Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët.

45 Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit.

46 Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre,

47 duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.