Revised Common Lectionary (Complementary)
100 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.
3 Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.
4 Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.
5 Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.
28 Por erdhi dita kur Zoti i foli Moisiut në vendin e Egjiptit,
29 kur Zoti iu drejtua Moisiut dhe i tha: "Unë jam Zoti! Thuaji Faraonit, mbretit të Egjiptit, tërë ato që po të them".
30 Atëherë Moisiu u përgjigj kështu para Zotit: "Ja, unë jam i parrethprerë në buzë; prandaj si mund të më dëgjojë Faraoni?".
7 Zoti i tha Moisiut: "Shiko, unë po të bëj si perëndi për Faraonin, dhe vëllai yt Aaroni do të jetë profeti yt.
2 Ti do të thuash tërë ato që do të të urdhëroj unë dhe vëllai yt Aaroni do t’i flasë Faraonit, që t’i lërë të shkojnë bijtë e Izraelit nga vendi i tij.
3 Por unë do ta ngurtësoj edhe më tepër zemrën e Faraonit dhe do t’i shumëzoj shenjat dhe mrekullitë e mia në vendin e Egjiptit.
4 Prandaj Faraoni nuk do t’jua vërë veshin, dhe kështu unë do ta zgjas dorën mbi Egjipt dhe do të nxjerr nga vendi i Egjiptit radhët e mia, popullin tim, bijtë e Izraelit, duke dhënë ndëshkime të mëdha.
5 Egjiptasit do të marrin vesh atëherë që unë jam Zoti, kur do të shtrij dorën time mbi Egjipt dhe do të nxjerr nga mesi i tyre bijtë e Izraelit".
6 Dhe Moisiu dhe Aaroni vepruan kështu; ata bënë pikërisht ashtusiç i kishte urdhëruar Zoti.
7 Kur i folën Faraonit, Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç dhe Aaroni tetëdhjetë e tre.
8 Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
9 "Kur Faraoni t’ju flasë dhe t’ju thotë: "Bëni një mrekulli," ti do t’i thuash Aaronit: "Merr bastunin tënd dhe hidhe para Faraonit, që të bëhet gjarpër"".
10 Moisiu dhe Aaroni vajtën pra te Faraoni dhe vepruan ashtu, pikërisht siç i kishte urdhëruar Zoti. Aaroni e hodhi bastunin e tij përpara Faraonit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ai u bë gjarpër.
11 Atëherë edhe Faraoni thirri të diturit dhe yshtësit; dhe magjistarët e Egjiptit me artin e tyre të fshehtë bënë edhe ata të njëjtën gjë.
12 Secili prej tyre hodhi bastunin e tij, dhe bastunët u bënë gjarpërinj; por bastuni i Aaronit i përpiu bastunët e tyre.
13 Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte thënë Zoti.
7 Atëherë rreth tij u mblodhën farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jeruzalemi.
2 Ata vunë re se disa nga dishepujt e tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, dhe i paditën.
3 Në fakt farisenjtë dhe të gjithë Judenjtë nuk hanë pa i larë më parë me shumë kujdes duart, duke iu përmbajtur traditës së pleqve;
4 dhe, kur kthehen nga tregu, nuk hanë pa u pastruar më parë. Ka shumë gjëra të tjera që ata duhet të respektojnë për shkak të traditës: larjen e kupave, të brokave, të enëve prej bakri dhe të shtretërve.
5 Pastaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: “Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së pleqve, por hanë bukë pa i larë duart?.”
6 Por ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë, siç është shkruar: "Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje.
7 Por kot më bëjnë një kult, duke mësuar doktrina, të cilat janë porosi nga njerëzit".
8 Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme.”
9 U tha atyre akoma: “Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj.
10 E në fakt Moisiu tha: "Ndero atin tënd dhe nënën tënde," dhe: "Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje".
11 Por ju thoni: "Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë,"
12 nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet,
13 duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme.”