Revised Common Lectionary (Complementary)
123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.
2 Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.
3 Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.
4 Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.
25 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:
2 "Atij i përkasin sundimi dhe terrori: ai sjell paqen në vendet e tij shumë të larta.
3 A mund të llogariten vallë ushtritë e tij? Dhe mbi kë nuk del drita e tij?
4 Si mund të jetë, pra, njeriu i drejtë përpara Perëndisë, ose si mund të jetë i pastër një i lindur nga një grua?
5 Dhe në se edhe hëna nuk shkëlqen dhe yjet nuk janë të pastër në sytë e tij,
6 aq më pak njeriu, që është një vemje, biri i njeriut që është një krimb!".
26 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: "Si e ke ndihmuar të dobëtin,
2 ose si e ke ndihmuar krahun pa forcë?
3 Si e ke këshilluar atë që nuk ka dituri, dhe çfarë njohurish të mëdha i ke komunikuar?
4 Kujt ia ke drejtuar fjalët e tua, dhe e kujt është fryma që ka dalë prej teje?
5 Të vdekurit dridhen nën ujërat, dhe kështu bëjnë edhe banorët e tyre.
6 Para atij Sheoli është i zbuluar, Abadoni është pa vel.
7 Ai shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.
8 I mbyll ujërat në retë e tij, por ato nuk çahen nën peshën e tyre.
9 E mbulon pamjen e fronit të tij, duke shtrirë mbi të retë e tij.
10 Ka shënuar një kufi të veçantë mbi sipërfaqen e ujërave, në kufirin e dritës me terrin.
11 Kollonat e qiellit dridhen dhe habiten nga kërcënimi i tij.
12 Me forcën e tij qetëson detin, me zgjuarsinë tij ka rrëzuar Rahabin.
13 Me Frymën e tij ka zbukuruar qiejt, dora e tij ka shpuar tejpërtej gjarpërin dredharak.
14 Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç’murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij?
19 Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.
20 Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t’i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.
21 Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.
22 Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,
23 që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.
24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.
25 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.
26 Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete;
27 dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut.
28 Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij
29 dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.