Revised Common Lectionary (Complementary)
50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.
2 Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.
3 Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.
4 Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,
5 dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".
6 Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)
7 "Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.
8 Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.
9 Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.
10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.
11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.
12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.
13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?
14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.
15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".
16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,
17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?
18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.
19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.
20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.
21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.
22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.
23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë".
7 Në vitin e katërt të mbretit Dar, ditën e katërt të muajit të nëntë, që është Kislevi, ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Zakarias.
2 Kishin dërguar Sharetserin, bashkë me Regemelekun dhe njerëzit e tij, në Bethel për të kërkuar me lutje favorin e Zotin,
3 dhe për të folur me priftërinjtë që ishin në shtëpinë e Zotit të ushtrive dhe me profetët, duke thënë: "A duhet të qaj në muajin e pestë dhe të agjëroj si kam bërë gjatë shumë viteve?".
4 Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
5 "Folu gjithë popullit të vendit dhe priftërinjve dhe thuaj: "Kur keni agjëruar dhe jeni pikëlluar në muajin e pestë dhe në të shtatin gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve, a keni agjëruar në të vërtetë për mua, pikërisht për mua?
6 Po më pas, kur keni ngrënë dhe pirë, mos vallë keni ngrënë dhe pirë për veten tuaj?
7 A nuk janë këto fjalët që Zoti i ushtrive ka shpallur me anë të profetëve të së kaluarës, kur Jeruzalemi ishte i banuar dhe i qetë bashkë me qytetet e tij të afërta dhe gjithashtu Negevi dhe fusha ishin të banuara?"".
8 Fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, duke thënë:
9 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Zbatoni me përpikëri drejtësinë dhe tregoni secili mirësi dhe mëshirë për vëllezërit tuaj.
10 Mos e shtypni të venë dhe jetimin, të huajin dhe të varfërin; dhe askush të mos kurdisë në zemër të vet të keqen kundër vëllait të vet.
11 Por ata nuk deshën të dëgjojnë, kthyen krahët me kryeneçësi dhe i zunë veshët që të mos dëgjonin.
12 E bënë zemrën e tyre si diamanti, për të mos dëgjuar ligjin dhe fjalët që Zoti i ushtrive u dërgonte atyre me anë të Frymës së tij, me anë të profetëve të së kaluarës. Kështu u krijua një indinjatë e madhe te Zoti i ushtrive.
13 Dhe ndodhi që, mbasi ai thërriste dhe ata nuk ia vinin veshin, ata thirrën dhe unë nuk ua vura veshin," thotë Zoti i ushtrive,
14 "por i shpërndava me shakullimë midis gjithë kombeve që ata nuk i njihnin. Kështu vendi mbeti i shkretë pas tyre, dhe askush nuk kalonte andej ose nuk u kthye. Nga një vend kënaqësie ata e kthyen në shkreti".
5 Dhe dua t’ju kujtoj, ndonëse tashmë i dini gjithë këto, se Zoti, pasi e shpëtoi popullin e tij nga vendi i Egjiptit, pastaj i shkatërroi ata që nuk besuan.
6 Ai i ruajti me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe, edhe engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, po e lanë banimin e tyre,
7 posi Sodoma dhe Gomora edhe qytetet përreth, që u dhanë pas kurvërimit dhe u dhanë pas çoroditjesh seksuale, janë vënë përpara si shembull, duke pësuar ndëshkimin e një zjarri të përjetshëm;
8 në të njëjtën menyrë ndotin edhe këta ëndërrues mishin, përbuzin pushtetin dhe blasfemojnë kundër dinjiteteve.
9 Por kryeengjëlli Mikael, kur në kundërshtim me djallin debatonte për trupin e Moisiut, nuk guxoi të shqiptojë një gjykim fyes, por tha: “Zoti të qortoftë!.”
10 Kurse këta flasin keq për të gjitha gjërat që nuk i dinë, dhe për të gjitha gjërat që njohin në menyrë natyrale, si kafshë pa arësye, në këto gjëra prishin veten,
11 Mjerë ata, sepse kanë marrë rrugën e Kainit dhe u dhanë pas çoroditjes së Balaamit për fitim dhe mbaruan në rebelim e Koreut.
12 Këta janë njolla në agapit tuaja, kur hanë e pinë bashkë me ju pa druajtje duke kullotur veten e tyre; ata janë re pa ujë, të shtyrë andej këndej nga erërat, drurë vjeshte pa fruta, dyfish të vdekur, të shkulur me rrënjë,
13 valë deti të egra që shkumbëzojnë paudhësitë e tyre, yje të këputur për të cilët është ruajtur terri i errësirës për gjithmon.
14 Dhe për këta profetizoi edhe Enoku, i shtati pas Adamit, duke thënë: “Ja, Zoti erdhi me mijërat e tij të shenjtë,
15 për të bërë gjyqin kundër të gjithëve dhe për të bindur të gjithë të pabesët në mes tyre për të gjitha veprat e paudhësisë dhe për të gjitha fjalët fyese që mëkatarët e pabesë folën kundër tij.”
16 Këta janë murmuritës, që ankohen për fatin e tyre, që ecin sipas pasioneve të tyre; dhe goja e tyre flet fjalë krenarie dhe u bëjnë lajka njerëzve për dobi të vet.
17 Por ju, shumë të dashur, mbani mend fjalët që ju kanë parathënë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht.
18 Ata ju thoshnin që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë.
19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën.
20 Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë,
21 ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme.