Revised Common Lectionary (Complementary)
32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!
2 Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.
3 Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.
4 Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)
5 Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)
6 Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.
7 Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)
1 Vegimi i Isaias, birit të Amotsit, që ai pa për Judën dhe Jeruzalemin në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias; mbretër të Judës;
2 Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: "Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje.
3 Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend".
4 Mjerë, komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi, racë keqbërësish, bij që veprojnë në mënyrë të çoroditur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të Shenjtin e Izraelit, kanë devijuar dhe janë kthyer prapa.
5 Pse doni që të goditeni edhe më? Do të ngrinit krye edhe më tepër. Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon.
6 Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë; vetëm plagë, vurrata dhe plagë të hapura, që nuk janë as pastruar, as lidhur as qetësuar me vaj.
7 Vendi juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë djegur nga zjarri, tokën tuaj e përpijnë të huajtë para syve tuaj; është si një shkretim sikur ta kishin shkatërruar të huajtë.
8 Kështu bija e Sionit ka mbetur si një karakollë në një vresht, si një kasolle në një arë me shalqi, si një qytet i ngujuar.
9 Në qoftë se Zoti i ushtrive nuk do të na kishte lënë një mbetje të vogël, do të ishim si Sodoma, do t’i ngjisnim Gomorrës.
39 Ata, duke u përgjigjur, i thanë: “Ati ynë është Abrahami.” Jezusi u tha atyre: “Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit;
40 por ju tani kërkoni të më vrisni mua, që ju kam folur të vërtetën që kam dëgjuar nga Perëndia; Abrahami këtë nuk e bëri.
41 Ju bëni veprat e atit tuaj.” Prandaj ata i thanë: “Ne nuk lindëm nga kurvërimi; ne kemi një Atë të vetëm: Perëndinë.”
42 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar.
43 Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time.
44 Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës.
45 Kurse mua, duke qenë se ju them të vërtetën, nuk më besoni.
46 Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse flas të vërtetën, përse nuk më besoni?
47 Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë.”