Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Mbretërve 5:1-3

Naamani, komandant i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte një njeri i madh dhe shumë i çmuar në sytë e zotit të tij, sepse nëpërmjet tij Zoti i kishte dhënë fitoren Sirisë; por ky njeri i madh dhe trim ishte lebroz.

Disa banda të Sirisë gjatë një sulmi për plaçkitje kishin marrë me vete nga vendi i Izraelit, si robinjë, një vajzë të vogël që kishte përfunduar si shërbëtore e gruas së Naamanit.

Ajo i tha zonjës së saj: "Po të mundte të shkonte zoti im te profeti që është në Samari, me siguri ky do ta shëronte nga lebra".

2 i Mbretërve 5:7-15

Mbasi lexoi letrën, mbreti i Izraelit grisi rrobat e tij dhe tha: "A jam unë Perëndia, i pajisur me fuqinë të të shkaktojë vdekjen dhe ngjalljen, që ai më dërgon një njeri për ta shëruar nga lebra? Prandaj shikoni, që ai tani kërkon pretekse kundër meje".

Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, mësoi që mbreti i Izraelit kishte grisur rrobat e tij, dërgoi t’i thotë mbretit: "Pse i grise rrobat? Le të vijë ai njeri tek unë dhe do të mësojë që ka një profet në Izrael".

Kështu Naamani erdhi me kuajt dhe me qerret e tij dhe u ndal te porta e shtëpisë së Eliseut.

10 Atëherë Eliseu i dërgoi një lajmëtar për t’i thënë: "Shko të lahesh shtatë herë në Jordan dhe mishi yt do të kthehet si më parë dhe do të jesh i pastër".

11 Por Naamani u zemërua dhe iku, duke thënë: "Ja, unë mendoja: "Ai ka për të dalë me siguri përballë meje, do të ndalet, do të përmëndë emrin e Zotit, Perëndisë së tij, do të lëvizë dorën mbi pjesët e sëmura dhe do të më shërojë nga lebra".

12 Lumenjtë e Damaskut, Abanahu dhe Farpari, a nuk janë më të mirë se tërë ujërat e Izraelit? Nuk mund të lahesha në to dhe të bëhem i pastër?". Kështu u kthye dhe iku tërë inat.

13 Por shërbëtorët e tij iu afruan dhe i folën, duke i thënë: "Ati ynë, në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: "Lahu dhe do të pastrohesh"?".

14 Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai pastrua.

15 Pastaj u kthye me gjithë suitën e tij te njeriu i Perëndisë, shkoi e u paraqit para tij dhe tha: "Tani e pranoj që nuk ka asnjë Perëndi në gjithë dheun, përveç se në Izrael. Prandaj tani prano një dhuratë, të lutem, nga shërbëtori yt".

Psalmet 111

111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.

Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.

Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.

Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.

Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.

Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,

të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.

Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.

10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.

2 Timoteut 2:8-15

Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim,

për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga.

10 Prandaj unë i duroj të gjitha për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme.

11 Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;

12 në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.

13 Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.

14 Ua kujto atyre këto gjëra, duke u përbetuar përpara Zotit të mos hahen kot me fjalë pa asnjë dobi, në dëm të atyre që dëgjojnë.

15 Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.

Luka 17:11-19

11 Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.

12 Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,

13 dhe duke ngritur zërin, thanë: “Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne.”

14 Dhe ai, si i pa, u tha atyre: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.” Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.

15 Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.

16 Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.

17 Jezusi atëherë filloi të thotë: “A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?

18 A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?.”

19 Dhe i tha atij: “Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi.”