Revised Common Lectionary (Complementary)
111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.
2 Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.
3 Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.
4 Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.
5 Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.
6 Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.
7 Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,
8 të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.
9 Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.
10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.
12 Miriami dhe Aaroni iu kundërvunë Moisiut me fjalë për shkak të gruas etiopase me të cilën qe martuar; në fakt ai qe martuar me një grua etiopase.
2 Dhe i thanë: "Mos vallë Zoti ka folur vetëm me anë të Moisiut? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?". Dhe Zoti dëgjoi.
3 (Sepse Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut).
4 Zoti u tha menjëherë Moisiut, Aaronit dhe Miriamit: "Ju të tre dilni dhe shkoni në çadrën e mbledhjes". Kështu ata të tre dolën.
5 Atëherë Zoti zbriti në një kolonë reje, u ndal në hyrjen e çadrës dhe thirri Aaronin dhe Miriamin; që të dy i erdhën përpara.
6 Pastaj Zoti tha: "Dëgjoni tani fjalët e mia! Në se ka një profet midis jush, unë, Zoti i bëhem i njohur atij në vegim, flas me të në ëndërr.
7 Por nuk veproj kështu me shërbëtorin tim Moisi, që është besnik në tërë shtëpinë time.
8 Me të unë flas sy për sy, duke bërë që ai të më shohë, dhe jo me shprehje të errëta; dhe ai sodit dukjen e Zotit. Pse nuk keni pasur frikë të flisni kundër shërbëtorit tim, kundër Moisiut?".
9 Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre, pastaj ai u largua.
10 Kur reja u tërhoq nga pjesa e sipërme e çadrës, Miriami ishte bërë lebroze e bardhë si bora; Aaroni e shikoi Miriamin, dhe ja, ajo ishte lebroze.
11 Aaroni i tha Moisiut: "O zoti im, mos na ngarko me fajin që kemi kryer nga budallallëku dhe mëkatin që kemi bërë.
12 Mos lejo që ajo të jetë si një e vdekur, mishi i së cilës është gjysmë i konsumuar kur del nga barku i nënës së saj!".
13 Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Shëroje, o Perëndi, të lutem!".
14 Atëherë Zoti iu përgjegj Moisiut: "Po ta kishte pështyrë i ati në fytyrë, nuk do të ishte ndofta e turpëruar shtatë ditë? Izolojeni, pra, jashtë kampit shtatë ditë; pastaj pranojeni përsëri".
15 Miriamin e izoluan jashtë kampit për shtatë ditë; dhe populli nuk e filloi marshimin e tij deri sa Miriami të ripranohej në kamp.
12 Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: “Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh.”
13 Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: “Po, e dua, qofsh i pastruar.” Dhe menjëherë lebra iu zhduk.
14 Dhe Jezusi e urdhëroi: “Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t’u shërbejë si dëshmi.”
15 Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.
16 Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.