Revised Common Lectionary (Complementary)
37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
2 sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.
3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
7 Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.
8 Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.
9 Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.
7 Ndodhi në ditët e Ashazit, birit të Jothamit, birit të Uziahut, mbret i Judës, që Retsini, mbret i Sirisë dhe Pekahu, bir i Remaliahut, mbret i Izraelit, dolën për luftë kundër Jeruzalemit, por nuk arritën ta shtien në dorë.
2 Prandaj ia referuan shtëpisë së Davidit duke thënë: "Sirët kanë ngritur kampin e tyre në Efraim". Kështu zemra e Ashazit dhe zemra e popullit të tij u drodhën, ashtu si dridhen drurët e pyllit nga era.
3 Atëherë Zoti i tha Isaias: "Dil përpara Ashazit, ti dhe biri yt Shear-Jashubi, në skajin e kanalit të hauzit të sipërm në rrugën e arës së larësit,
4 dhe thuaji: Shiko të rrish i qetë, mos ki frikë dhe zemra jote të mos ligështohet për shkak të këtyre dy mbeturinave të urës së zjarrit që nxjerr tym, për zemërimin e zjarrtë të Retsinit dhe të Sirisë, dhe të birit të Remaliahut.
5 Sepse Siria, Efraimi dhe i biri i Remaliahut kanë menduar të këqija kundër teje, duke thënë:
6 "Të dalim kundër Judës, ta temerrojmë, të hapim një të çarë në muret e saj dhe të vendosim si mbret në mesin e saj të birin e Tabeelit"".
7 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kjo nuk ka për të ardhur, nuk ka për të ndodhur,
8 sepse kryeqyteti i Sirisë është Damasku dhe i pari i Damaskut është Retsini. Brënda gjashtëdhjetë e pesë vjetve Efraimi do të bëhet copë-copë dhe nuk do të jetë më popull.
9 Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe i pari i Samarisë është i biri i Remaliahut. Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm".
29 Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.
30 Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit.”
31 Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!.”
32 Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: “Çfarë doni të bëj për ju?.”
33 Ata i thanë: “Zot, të na hapen sytë!.”
34 Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.