Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 62

62 Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; nga ai vjen shpëtimi im.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im, ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Deri kur do të vërtiteni kundër një njeriu, për të kërkuar të gjithë së bashku ta vrisni, ashtu si bëhet me një mur që bën bark dhe një gardh që lëkundet?

Ata mendojnë vetëm ta rrëzojnë nga lartësia e tij, gjejnë kënaqësi në gënjeshtër, bekojnë me gojën e tyre, por në zemrat e tyre mallkojnë. (Sela)

Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.

Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)

Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t’i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.

10 Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën.

11 Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë;

12 edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij.

Osea 12:2-14

Zoti është gjithashtu në grindje me Judën dhe do ta ndëshkojë Jakobin për sjelljen e tij; do ta shpërblejë sipas veprave të tij.

Në gjirin e nënës mori vëllain e vet nga thembra dhe me forcën e tij luftoi me Perëndinë.

Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne,

domethënë Zoti, Perëndia i ushtrive, emri i të cilit është Zoti.

Prandaj ti kthehu te Perëndia yt, vepro me dhembshuri dhe ndershmëri dhe ki gjithnjë shpresë te Perëndia yt.

Efraimi është një tregtar që mban në dorë kandarë jo të saktë dhe i pëlqen të mashtrojë.

Efraimi thotë: "Edhe jam begatuar, kam grumbulluar pasuri; në të gjitha mundimet e mia, nuk do të gjejnë tek unë asnjë paudhësi që të jetë mëkat".

"Por unë jam Zoti, Perëndia yt, qysh nga vendi i Egjiptit. Do të të bëj që të banosh akoma në çadra si në ditët solemne.

10 U fola profetëve, kam shtuar vegimet dhe me anë të profetëve kam përdorur krahasime".

11 Në qoftë se Galaadi jepet pas idhujtarisë, me siguri do të katandiset në asgjë. Sepse në Gilgal flijojnë dema, altarët e tyre do të jenë me siguri si grumbuj gurësh gjatë brazdave të arave.

12 Jakobi iku në fushën e Sirisë dhe Izraeli shërbeu për një grua, për një grua u bë rojtar dhensh.

13 Me anë të një profeti, Zoti e nxori Izraelin nga Egjipti, dhe Izraeli u ruajt nga një profet.

14 Efraimi provokoi hidhët zemërimin e tij, prandaj Zoti i tij do të bëjë që mbi të të bjerë gjaku i derdhur dhe do të bëjë që mbi të të kthehet turpi i tij.

Mateu 19:16-22

16 Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: “Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?.”

17 Dhe ai tha: “Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet.”

18 Ai i tha: “Cilat?.” Atëherë Jezusi i tha: “Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,

19 ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde.”

20 I riu i tha: “Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?.”

21 Jezusi i tha: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua.”

22 Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.