Revised Common Lectionary (Complementary)
113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.
2 Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.
3 Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.
4 Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.
5 Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,
6 kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?
7 Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,
8 për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.
9 Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.
8 Mjerë ata që i shtojnë shtëpisë një shtëpi tjetër, që bashkojnë një arë me një arë tjetër, deri sa të mos ketë më vend, dhe kështu të mbeten të vetmuar për të banuar në mes të vendit.
9 Në veshët e mi Zoti i ushtrive është betuar: "Në të vërtetë shumë shtëpi do të shkretohen, shtëpi të bukura dhe të mëdha do të mbeten pa banorë".
10 Sepse dhjetë jugerë vresht do të prodhojnë vetëm një bato dhe një homer fare do të prodhojë vetëm një efa.
11 Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t’u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera!
12 Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit dhe nuk marrin parasysh atë që ai ka bërë me duart e tij.
13 Prandaj populli im shkon në robëri për mungesë njohurie, fisnikëria e tij vdes nga uria dhe turma e tij do të digjet nga etja.
14 Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase, dhe në të do të zbresin lavdia e tij, turma e tij, zhurma e tij dhe ai që feston në të.
15 Njeriu i zakonshëm do të përulet, njeriu i rëndësishëm do të ulet dhe sytë e krenarëve do të përulen.
16 Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi.
17 Atëherë qengjat do të kullosin si në kullotat e tyre dhe të huajtë do të përpijnë arat e shkretuara të të pasurve.
18 Mjerë ata që tërheqin padrejtësinë me litarët e falsitetit dhe mëkatin si me litarët e qerres,
19 dhe thonë: "Le ta bëjë shpejt, le ta kryejë veprën e tij, që të mund ta shohim. Le të afrohet dhe të kryhet plani i të Shenjtit të Izraelit që të mund ta shohim".
20 Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!
21 Mjerë ata që janë të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes!
22 Mjerë kampionëve në pirjen e verës dhe të shkathtëve në përzierjen e pijeve dehëse,
23 që e nxjerrin të pafajshëm njeriun e keq për një dhuratë dhe ia mohojnë të drejtit të drejtën e tij!
41 Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë.
42 Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant.
43 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: “Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.
44 Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.”