Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 73

73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.

Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.

Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.

Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.

Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.

Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.

Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.

Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.

E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.

10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,

11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".

12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.

13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.

14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.

15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.

16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.

17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.

18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.

19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!

20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.

21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,

22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.

23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.

24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.

25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.

26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.

27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.

28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.

Jona 3

Fjala e Zotit iu drejtua Jonas për herë të dytë, duke thënë:

"Çohu, shko në Ninive, qyteti i madh, dhe shpalli atij mesazhin që po të urdhëroj".

Kështu Jona u ngrit dhe shkoi në Ninive, sipas fjalës të Zotit. Ninivie ishte një qytet shumë i madh përpara Perëndisë, që donte tri ditë rrugë për ta përshkuar.

Jona nisi të futet në qytet në një ditë rrugë dhe duke predikuar tha: Edhe dyzet ditë dhe Ninive do të shkatërrohett".

Atëherë Niniveasit i besuan Perëndisë, shpallën një agjërim dhe u veshën me thes, nga më i madhi deri te më i vogli nga ata.

Kur lajmi i vajti mbretit të Ninivet, ai u ngrit nga froni, hoqi mantelin e tij, u mbulua me thes dhe u ul mbi hi.

Me dekret të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij, shpalli dhe përhapi pastaj në Ninive një urdhër që thoshte: "Njerëzit dhe kafshët, kopetë dhe tufat të mos kërkojnë asgjë, të mos hanë ushqim dhe të mos pijnë ujë;

por njerëzit dhe kafshët të mbulohen me thes dhe t’i thërresin me forcë Perëndisë; secili të kthehet nga rruga e tij e keqe dhe nga dhuna që është në duart e tij.

Ku ta dish në ktheftë Perëndia, në u pendoftë dhe lëntë mënjanë zemërimin e tij të zjarrtë, dhe kështu ne nuk vdesim".

10 Kur Perëndia pa atë që bënin, domethënë që po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Perëndia u pendua për të keqen që kishte thënë se do t’u bënte dhe nuk e bëri.

2 Pjetrit 3:8-13

Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.

Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.

10 Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt.

11 Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme,

12 duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen?

13 Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe toka të re, në të cilët banon drejtësia.