Revised Common Lectionary (Complementary)
7 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar;
8 u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"".
9 Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë.
10 Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t’i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh".
11 Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit tënd që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?
12 Pse duhet që Egjiptasit të thonë: "Ai i nxori për t’ju bërë të keq, që të vriten mbi malet dhe për t’i shfarosur nga faqja e dheut"? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t’i bërë keq popullit tënd.
13 Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre: "Unë do të shumëzoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe do t’u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë"".
14 Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen që kishte thënë se do t’i bënte popullit të tij.
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
12 Dhe e falënderoj Krishtin Zotin tonë, që më bën të fortë, sepse më çmoi të denjë për t’u besuar, duke më vënë në shërbimin e tij,
13 që më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm; por m’u dha mëshira, sepse i bëra nga padija, në mosbesimin tim;
14 kështu hiri i Zotit tonë teproi pa masë me besimin dhe dashurinë, që është në Jezu Krishtin.
15 Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari.
16 Por prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të tregojë më përpara në mua gjithë zemërgjerësinë, për të qenë shembull për ata që do të besojnë në të për jetë të përjetshme.
17 Dhe Mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të ditur, i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
15 Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.
2 Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta.”
3 Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:
4 “Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?
5 Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;
6 dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur..
7 Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.
8 Ose, cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë?
9 Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur".
10 Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet.”