Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 109:21-31

21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,

22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.

23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.

24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.

25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.

26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,

27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.

28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.

29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,

30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,

31 sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje.

Ezekieli 20:18-32

18 Pastaj u thashë bijve të tyre në shkretëtirë: "Mos ecni sipas statuteve të etërve tuaj, mos respektoni dekretet e tyre dhe mos u ndotni me idhujt e tyre.

19 Unë jam Zoti, Perëndia juaj; ecni sipas statuteve të mia, respektoni dekretet e mia dhe i vini në praktikë,

20 shenjtëroni të shtunat e mia dhe ato le të jenë një shenjë midis meje dhe jush, në mënyrë që ju të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj".

21 Por bijtë u rebeluan kundër meje; nuk ecën sipas statuteve të mia, nuk respektuan dekretet e mia për t’i vënë në jetë, duke i respektuar të cilat njeriu do të jetojë për to; përdhosën të shtunat e mia, dhe kështu vendosa të derdh mbi ta tërbimin tim dhe të shfryj mbi ta zemërimin tim në shkretëtirë.

22 Megjithatë unë e tërhoqa dorën dhe veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej përpara kombeve, në sytë e të cilëve i kisha nxjerrë nga Egjipti.

23 Por ngrita dorën në shkretëtirë, duke u betuar që do t’i shpërndaja midis kombeve dhe do t’i hallakatja nëpër tërë vendet,

24 Sepse nuk vinin në jetë dekretet e mia, por i hidhnin poshtë statutet e mia, përdhosnin të shtunat e mia dhe sytë e tyre ishin drejtuar te idhujt e etërve të tyre.

25 Prandaj u dhashë statute jo të mira dhe dekrete me të cilat nuk mund të jetonin;

26 dhe i molepsa me vetë dhuratat e tyre, me qenë se ata kalonin nëpër zjarr çdo të parëlindur të tyre, për t’i katandisur në shkretim të plotë me qëllim që të pranonin që unë jam Zoti.

27 Prandaj bir njeriu, foli shtëpisë së Izraelit dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zotit. Etërit tuaj më kanë fyer edhe në këtë rast, duke u sjellë pabesisht me mua:

28 mbasi i futa në vendin për të cilin kisha ngritur dorën dhe isha betuar, ata i kthyen sytë në çdo kodër të lartë dhe në çdo dru gjetheshumë dhe atje ofruan flijimet e tyre dhe paraqitën ofertat e tyre provokuese; atje vunë parfumet e tyre me erë të këndshme dhe atje derdhën libacionet e tyre.

29 Atëherë u thashë atyre: Ç’është vendi i lartë në të cilin shkoni? Kështu vazhdojnë ta quajnë "vendi i lartë" deri ditën e sotme.

30 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: A doni të ndoteni duke ndjekur rrugën e etërve tuaj dhe të kurvëroheni me idhujt e tyre të urrejtshëm?

31 Në fakt kur ofroni dhuratat tuaja dhe kaloni nëpër zjarr bijt tuaj, ju e ndotni veten deri ditën e sotme me të gjithë idhujt tuaj. Prandaj nuk do të lejoj të konsultohem nga ju, o shtëpi e Izraelit. Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë nuk do të lejoj të konsultohem nga ju.

32 Dhe nuk do të ndodhë aspak ajo që ju shkon ndër mend, kur thoni: "Ne jemi si kombet, si familjet e vendeve të tjera, që i ngrenë kult drurit dhe gurit"".

Zbulesa 3:7-13

“Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.

Unë njoh veprat e tua; ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë; sepse ke pak forcë, dhe e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim.

Ja, unë do të dorëzoj disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten Judenj, dhe nuk janë, por gënjejnë; ja, unë do t’i bëj të vijnë dhe të bien përmbys përpara këmbëve të tua, dhe do të njohin se unë të kam dashur.

10 Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.

11 Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde.

12 Kush fiton do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më përjashta; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jeruzalemit të ri, që zbret nga qielli nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.

13 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”