Revised Common Lectionary (Complementary)
82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.
2 Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)
3 Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.
4 Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.
5 Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.
6 Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.
7 Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".
8 Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.
6 Arka e Zotit mbeti shtatë muaj në vendin e Filistejve.
2 Pastaj Filistejtë mblodhën priftërinjtë dhe shortarët dhe thanë: "Ç’duhet të bëjmë me arkën e Zotit? Na trego mënyrën që duhet të përdorim për ta kthyer përsëri në vendin e saj".
3 Atëherë ata u përgjegjën: "Në qoftë se e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e ktheni bosh, por dërgoni me të të paktën një ofertë zhdëmtimi; atëherë do të shëroheni dhe do të mësoni pse dora e tij nuk ju ndahej".
4 Ata pyetën: "Çfarë oferte zhdëmtimi do t’i dërgojmë neve?". Ata u përgjegjën: "Pesë hemorroide ari dhe pesë minj ari simbas numrit të princave të Filistejve, sepse e njëjta plagë ka goditur ju dhe princat tuaj.
5 Bëni, pra, disa figura të hemorroideve dhe të minjve tuaj që shkatërrojnë vendin, dhe i thurrni lavdi Perëndisë së Izraelit; ndofta ai do ta zbusë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë tuaj dhe mbi vendin tuaj.
6 Pse, vallë, e ngurtësoni zemrën tuaj ashtu si Egjiptasit dhe Faraoni ngurtësuan zemrën e tyre? Kur kreu gjëra të fuqishme midis tyre, nuk i lanë të shkojnë, dhe kështu ata mundën të shkojnë?
7 Bëni, pra, një qerre të re, pastaj merrni dy lopë qumështore mbi të cilat nuk është vënë kurrë zgjedha dhe i mbrihni lopët në qerre, por i çoni viçat e tyre në stallë larg tyre.
8 Pastaj merrni arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre; dhe punimet prej ari që i çoni Zotit si ofertë zhdëmtimi i vini në një shportë pranë saj.
9 Dhe rrini e shikoni, në rast se ngjitet nëpër rrugën që të çon në territorin e tij, në Beth-Shemesh, është Zoti që na ka bërë këtë të keqe të madhe; ndryshe do të të mësojmë që nuk ka qenë dora e tij që na ka goditur, por kjo ka ndodhur rastësisht".
10 Ata, pra, vepruan kështu: morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre dhe mbyllën viçat në stallë.
11 Pastaj vendosën mbi qerre arkën e Zotit dhe shportën me minjtë prej ari dhe figurat e hemorroideve.
12 Atëherë lopët u nisën pikërisht në drejtim të Beth-Shemeshit, duke ndjekur gjithnjë atë rrugë dhe duke pëllitur ndërsa po ecnin, pa u kthyer as djathtas, as majtas. Princat e Filistejve i ndoqën deri në kufirin e Beth-Shemeshit.
13 Banorët e Beth-Shemeshit ishin duke korrur grurin në luginë; duke ngritur sytë, panë arkën dhe u gëzuan qe e panë.
14 Qerrja, pasi arriti në kampin e Jozueut në Beth-Shemesh, u ndal aty. Aty kishte një gur të madh; kështu ata çanë lëndën e drurit të qerres dhe i ofruan lopët si olokauste të Zotit.
15 Levitët hoqën arkën e Zotit dhe shportën që i rrinte pranë dhe në të cilën gjendeshin sendet prej ari, dhe i vendosëm mbi një gur të madh. Po atë ditë njerëzit e Beth-Shemeshit ofruan dhe i bënë flijime Zotit.
16 Mbasi pesë princat e Filistejve panë këtë gjë, po atë ditë u kthyen në Ekron.
15 “Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë),
16 atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male.
17 Kush ndodhet mbi taracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet;
18 dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij.
19 Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t’u japin gji fëmijëve në ato ditë!
20 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën,
21 sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!
22 Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.
23 Atëherë, në qoftë se dikush do t’ju thotë: "Ja, Krishti është këtu," ose "Éshtë atje," mos i besoni.
24 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.
25 Ja, unë ju paralajmërova.
26 Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë," mos shkoni atje: Ja, është në dhomat e fshehta,," mos u besoni.
27 Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.