Revised Common Lectionary (Complementary)
49 Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës,
2 qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok.
3 Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim.
4 Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë.
5 Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi,
6 ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre?
7 Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij,
8 sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë,
9 për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.
10 Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre.
11 Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre.
12 Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë.
23 Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara;
2 dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh.
3 Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues.
4 Mos u lodh për t’u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt.
5 A do t’i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit.
6 Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme;
7 sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; "Ha dhe pi"!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty.
8 Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla.
9 Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate.
10 Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve,
11 sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje.
33 O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!
34 “Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?
35 Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?.”
36 Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!