Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 55:16-23

16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.

17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.

18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.

19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)

20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.

21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.

22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.

23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.

Ester 6:1-7:6

Atë natë mbretin nuk e zinte gjumi. Atëherë urdhëroi që t’i sillnin librin e ngjarjeve për t’u mbajtur mend, Kronikat; dhe u lexua para mbretit.

U gjet e shkruar që Mardokeu kishte denoncuar Bigthanan dhe Tereshin, dy eunukët e mbretit midis derëtarëve, që kishin kërkuar të shtrinin dorën kundër mbretit Asuero.

Atëherë mbreti pyeti: "Çfarë nderimi dhe shpërblimi iu dha Mardokeu për këtë?". Shërbëtorët e mbretit që i shërbenin u përgjigjën: "Nuk u bë asgjë për të".

Atëherë mbreti tha: "Kush është në oborr?". (Hamani sapo kishte hyrë në oborrin e jashtëm të pallatit të mbretit, për t’i kërkuar mbretit që ta varte Mardokeun në trekëmbëshin që kishte përgatitur për të).

Shërbëtorët e mbretit iu përgjigjën: "Ja, Hamani është në oborr". Mbreti tha: "Lëreni të hyjë".

Atëherë Hamani hyri dhe mbreti i tha: "Çfarë duhet t’i bëhet një njeriu që mbreti dëshiron ta nderojë?". Hamani mendoi në zemër të vet: "Cilin do të donte të nderonte mbretin më shumë se mua?".

Hamani iu përgjigj mbretit: "Për njeriun që mbreti dëshiron të nderojë,

të merret rroba mbretërore që ka veshur mbreti dhe kali mbi të cilin ka hipur dhe të vihet mbi kokën e tij një kurorë mbretërore.

T’i dorëzohet rrobja dhe kali njerit prej princave më fisnikë të mbretit dhe t’i vishen rrobat njeriut që mbreti dëshiron të nderojë; pastaj të çohet me kalë nëpër rrugët e qytetit dhe të shpallet para tij: "Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshëron të nderojë!"".

10 Atëherë mbreti i tha Hamanit: "Shpejto, merr rroben dhe kalin, siç e the, dhe vepro kështu me Judeun Mardoke, që rri ulur pranë portës së mbretit, mos lër pa kryer asgjë nga ato që ke thënë".

11 Hamani mori, pra, rroben dhe kalin, ia veshi Mardokeut rroben dhe e çoi me kalë nëpër rrugët e qytetit, duke shpallur para tij: "Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshëron të nderojë!".

12 Pastaj Mardokeu u kthye te porta e mbretit, por Hamani nxitoi të kthehet në shtëpinë e vet, i pikëlluar dhe kokëmbuluar.

13 Hamani i tregoi bashkëshortes së tij Zeresh dhe gjithë miqve të tij të gjitha sa i kishin ngjarë. Atëherë njerëzit e urtë dhe gruaja e tij Zeresh i thanë: "Në qoftë se Mardokeu para të cilit ke filluar të biesh është nga fisi i Judejve, ti nuk do të arrish të fitosh kundër tij, por do të rrëzohesh plotësisht para tij".

14 Ata po flisnin akoma me të, kur arritën eunukët e mbretit, të cilët nxituan ta çonin Hamanin në banketin që Ester i kishte përgatitur.

Mbreti dhe Hamani shkuan, pra, në banketin bashkë me mbretëreshën Ester.

Edhe ditën e dytë, ndërsa gjatë banketit po shërbehej vera, mbreti i tha Esterit: "Cila është kërkesa jote, o mbretëreshë Ester? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Edhe sikur të jetë gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet".

Atëherë mbretëresha Ester u përgjigj: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, o mbret, dhe në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, kërkesa ime është që të më jepet jeta; dhe kërkoj që populli im të falet.

Sepse unë dhe populli im kemi qenë të shitur për t’u prishur, për t’u vrarë dhe për t’u shfarosur. Po të ishim shitur për t’u bërë skllevër dhe skllave do të kisha heshtur; por armiku nuk mund ta kompensojë kurrë dëmin që do t’i shkaktohej mbretit".

Mbreti Asuero i tha mbretëreshës Ester: "Kush është dhe ku ndodhet ai që ka guximin të bëjë një gjë të tillë?".

Esteri u përgjigj: Armiku dhe kundërshtari është ai i keqi Haman". Atëherë Hamanit i hyri tmerri në prani të mbretit dhe të mbretëreshës.

Romakëve 9:30-10:4

30 Çfarë të themi, pra? Se johebrenjtë, që nuk kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë, por atë drejtësi që vjen nga besimi,

31 ndërsa Izraeli, që kërkonte ligjin e drejtësisë, nuk arriti në ligjin e drejtësisë.

32 Përse? Sepse e kërkonte jo me anë të besimit, por me anë të veprave të ligjit; sepse ata u penguan në gurin e pengesës,

33 ashtu siç është shkruar: “Ja, unë po vë në Sion një gur pengese dhe një shkëmb skandali, dhe kushdo që i beson atij nuk do të turpërohet.”

10 Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.

Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë.

Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë,

sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.