Revised Common Lectionary (Complementary)
15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?
2 Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,
3 që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.
4 Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;
5 nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.
14 Por ndodhi në kohën e Amrafelit, mbret i Shinarit, e Ariokut, mbret i Elasarit e Kedorlaomerit, mbret i Elamit dhe i Tidealit, mbret i kombeve,
2 që ata i bënë luftë Beraut, mbret i Sodomës, Birshës, mbret i Gomorës, Shinabit, mbret i Admahut, Shemeberit, mbret i Ceboimit dhe mbretit të Belës (që është Coari).
3 Tërë këta të fundit u grumbulluan në luginën e Sidimit (që është Deti i Kripur).
4 Për dymbëdhjetë vjet ata qenë të nënshtruar nga Kedorlaomeri, por vitin e trembëdhjetë ngritën krye.
5 Vitin e katërmbëdhjetë Kedorlaomeri dhe mbretërit që ishin me të erdhën bashkë me të dhe i shpërndanë gjigantët në Ashterot-Karnaim, Zuzimët në Ham, Emimët në Shaveh-Kiriataim
6 dhe Horejtë në malet e tyre të Seirit deri në El-Paran, që ndodhet pranë shkretëtirës.
7 Pastaj u kthyen pas dhe erdhën në En-Mishpat (që është Kadeshi), plaçkitën tërë territorin e Amalekitëve si dhe të Amorejve që banonin në Hatsacon-Tamar.
8 Atëherë mbreti i Sodomës, mbreti i Gomorës, mbreti i Admahut, mbreti i Ceboimit dhe mbreti i Belës (që është Coari) dolën dhe u rreshtuan në luftë kundër tyre, në luginën e Sidimit;
9 kundër Kedorlaomerit mbret i Elamit, Tidealit mbret i kombeve, Amrafelit mbret i Shinarit dhe Ariokut mbret i Elasarit; katër mbretër kundër pesë.
10 Por lugina e Sidimit ishte plot me puse bitumi; dhe mbretërit e Sodomës dhe të Gomorës ua mbathën këmbëve dhe ranë brënda tyre; dhe ata që shpëtuan, shkuan në mal.
11 Dhe kështu fituesit shtinë në dorë tërë pasuritë e Sodomës dhe të Gomorës dhe tërë ushqimet e tyre, dhe ikën.
12 Morën me vete edhe Lotin, djali i vëllait të Abramit, bashkë me pasurinë e tij, dhe ikën. Loti banonte në Sodomë.
13 Por njëri nga të ikurit erdhi dhe ia tha Abram Hebreut, që banonte në lisat e Mamres, Amoreosit, vëlla i Eshkollit dhe vëlla i Anerit, që kishin lidhur aleancë me Abramin.
14 Kur Abrami mësoi se vëllai i tij ishte zënë rob, ai armatosi njerëzit e stërvitur, shërbyes të lindur në shtëpinë e tij, gjithsej treqind e tetëmbëdhjetë veta dhe i ndoqi mbretërit deri në Dan.
15 Ai i ndau forcat e tij kundër tyre natën, dhe me shërbyesit e tij i sulmoi dhe i ndoqi deri në Hobah, që ndodhet në të majtë të Damaskut.
16 Kështu ai rimori tërë pasurinë dhe solli me vete edhe Lotin, të vëllanë, dhe tërë pasurinë e tij, si edhe gratë dhe popullin.
4 Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë:
5 “Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.
6 Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage.
7 Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën.
8 Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish.” Si i tha këto gjëra, thirri: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”
9 Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë.
10 Dhe ai tha: “Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë.