Revised Common Lectionary (Complementary)
73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.
74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.
75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.
76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.
77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.
78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.
79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.
80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.
4 Ti do t’u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti: Në rast se dikush rrëzohet, a nuk ngrihet vallë? Në rast se dikush ndërron drejtimin, a nuk kthehet vallë?
5 Pse, pra, ky popull, o Jeruzalem, është shmangur me një rebelim të përjetshëm? Ngulin këmbë në mashtrim dhe nuk pranojnë të kthehen.
6 U kam kushtuar kujdes dhe i kam dëgjuar, por ata nuk flasin drejt; asnjeri nuk pendohet për ligësinë e tij dhe nuk thotë: "Çfarë bëra unë?". Secili merr përsëri vrapimin e tij, si një kalë që hidhet në betejë.
7 Madje edhe lejleku i qiellit i njeh stinët e tij, turtulli, dallëndyshja dhe krilat shikojnë me kujdes kohën e kthimit të tyre, por populli im nuk e njeh ligjin e Zotit.
8 Si mund të thoni: "Ne jemi të urtë dhe ligji i Zotit është me ne"? Por ja, pena e rreme e shkruesve e ka bërë një falsitet.
9 Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?
10 Prandaj bashkëshortet e tyre do t’ua jap të tjerëve dhe arat e tyre pronarëve të rinj, sepse nga më i vogli deri te më i madhi lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti të gjithë përdorin gënjeshtrën.
11 Ata mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit tim, duke thënë: Paqe, paqe,," kur nuk ekziston paqja.
12 A u vinte turp vallë kur kryenin veprime të neveritshme? Jo! nuk kishin turp aspak dhe nuk dinin ç’është të skuqesh. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj do të përmbysen," thotë Zoti.
13 Do t’i shfaros me siguri," thotë Zoti. "Nuk do të ketë më rrush te hardhia as fiq te fiku dhe gjethet do të fishken. Edhe gjërat që u kam dhënë do t’u hiqen".
28 Ata, kur i dëgjuan këto gjëra, u mbushën me inat dhe bërtisnin, duke thënë: “E madhe është Diana e Efesianëve!.”
29 Dhe gjithë qyteti u mbush me rrëmujë; dhe si i morën me forcë Gain dhe Aristarkun, Maqedonas, bashkudhëtarë të Palit, rendën të gjithë, me një mendje, në teatër.
30 Dhe Pali donte t’i dilte popullit, por dishepujt nuk e lejonin.
31 Edhe disa Aziarkë, që ishin miq të tij, i çuan për ta lutur të mos dilte në teatër.
32 Ndërkaq disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër, saqë mbledhja ishte trazuar dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur.
33 Atëherë nga turma nxorën Aleksandrin, të cilin e shtynin Judenjtë. Dhe Aleksandri, mbasi bëri shenjë me dorë, donte të paraqiste një apologji para popullit.
34 Por, kur e morën vesh se ishte Jude, të gjithë me një zë filluan të bërtasin për gati dy orë: “E madhe është Diana e Efesianëve!.”
35 Kancelari i qytetit, mbasi e qetësoi turmën, tha: “O Efesianë, cili është vallë ai njeri që nuk e di se qyteti i Efesianëve është mbrojtësi i tempullit të perëndeshës së madhe Diana dhe i imazhit të saj që ra nga Zeusi?
36 Duke qenë, pra, se këto janë të pakundërshtueshme, ju duhet të rrini urtë dhe të mos bëni asgjë të nxituar.
37 Sepse i prutë këta njerëz që nuk janë as sacrileghi as blasfemues të perëndeshës suaj.
38 Pra, në qoftë se Dhimitri dhe mjeshtrit që janë me të kanë diçka kundër dikujt, gjykatat janë hapur dhe prokonsuj ka; le të padisin njëri-tjetrin.
39 Dhe nëse keni ndonjë kërkesë tjetër për të bërë, të zgjidhet në kuvendin sipas ligjit.
40 Ne në fakt jemi në rrezik të akuzohemi si kryengritës për ngjarjen e sotme, sepse nuk ka asnjë arsye me të cilën të përligjet ky grumbullim.”
41 Dhe, si i tha këto, e shpërndau mbledhjen.