Revised Common Lectionary (Complementary)
73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.
74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.
75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.
76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.
77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.
78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.
79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.
80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.
10 Kujt do t’i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi.
11 Prandaj jam mbushur me zemërimin e madh të Zotit; jam lodhur duke e përmbajtur. Do ta hedh mbi fëmijët në rrugë dhe mbi të rinjtë e mbledhur bashkë, sepse do të kapen si burri ashtu dhe gruaja, si plaku ashtu dhe burri i ngarkuar me vite.
12 Shtëpitë e tyre do t’u kalojnë të tjerëve, së bashku me arat e tyre dhe bashkëshortet e tyre, sepse unë do të shtrij dorën time mbi banorët e vendit," thotë Zoti.
13 "Sepse nga më i vogli deri tek më i madhi të gjithë lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti janë të gjithë gënjeshtarë.
14 Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e popullit tim, duke thënë: "Paqe, paqe," kur nuk ka paqe.
15 A ju vinte turp kur kryenin gjëra të neveritshme? Jo! Nuk kishin turp fare dhe as nuk dinin se ç’ishte të skuqeshe. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj, do të rrëzohen," thotë Zoti.
16 Kështu thotë Zoti: "Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj". Por ata përgjigjen: "Nuk do të ecim nëpër të".
17 "Kam vënë roje mbi ju: Kushtojini kujdes zërit të borisë!". Por ata përgjigjen: "Nuk do t’i kushtojmë kujdes".
18 "Prandaj, dëgjoni, o kombe, dhe dije, o kuvend, çfarë do t’u ndodhë atyre.
19 Dëgjo, o tokë! Ja, unë do të sjell mbi këtë popull një gjëmë, vetë frytin e mendimeve të tij, sepse nuk u kanë kushtuar kujdes fjalëve të mia dhe as ligjit tim, por e kanë hedhur poshtë.
21 Mbas këtyre ngjarjeve, Pali kishte vendosur në mendje të shkojë në Jeruzalem, duke kaluar nëpër Maqedoni dhe nëpër Akai, dhe thoshte: “Mbasi të kem qenë atje, më duhet të shoh edhe Romën.”
22 Atëherë dërgoi në Maqedoni dy nga ata që i shërbenin, Timoteun dhe Erastin, dhe vetë ndenji edhe ca kohë në Azi.
23 Dhe në atë kohë u bë një trazirë e madhe lidhur me Udhën,
24 sepse një farë njeriu, me emër Dhimitër, argjendar, i cili bënte tempuj të Dianës në argjend, u sillte artizanëve jo pak fitim.
25 Ai i mblodhi këta bashkë me punëtorët që kishin një aktivitet të përafërt, dhe tha: “O burra, ju e dini se fitimi ynë vjen nga kjo veprimtari.
26 Dhe ju shihni dhe dëgjoni se ky Pali ua ka mbushur mendjen dhe ktheu një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por gati në mbarë Azinë, duke thënë se nuk janë perëndi ata që janë bërë me duar.
27 Dhe jo vetëm që është rreziku për ne që kjo mjeshtria jonë të diskreditohet, por që edhe tempulli i perëndeshës së madhe Diana të mos vlerësohet më aspak dhe që t’i hiqet madhështia asaj, që gjithë Azia, madje gjithë bota, e nderon.”