Revised Common Lectionary (Complementary)
66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
47 Prandaj ja, do të vijnë ditët në të cilat unë do të ndëshkoj figurat e gdhendura të Babilonisë; tërë vendi do të mbulohet me turp dhe tërë të plagosurit për vdekje do të rrëzohen në mes të saj.
48 Atëherë qiejt, toka dhe çdo gjë që është në to do të ngazëllejnë mbi Babiloninë, sepse shkatërruesit do të vijnë kundër saj nga veriu," thotë Zoti.
49 Ashtu si Babilonia bëri që të rrëzohen të plagosurit për vdekje të Izraelit, kështu në Babiloni do të rrëzohen të plagosurit për vdekje të të gjithë vendit.
50 Ju, që keni shpëtuar nga shpata, nisuni, mos u ndalni; mbani mend që nga larg Zotin, dhe Jeruzalemi t’ju kthehet në zemër.
51 Na vjen turp të dëgjojmë sharjen, turpi ka mbuluar fytyrën tonë, sepse disa të huaj kanë hyrë në shenjtoren e shtëpisë të Zotit.
52 "Prandaj ja, do të vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat unë do të dënoj figurat e tij të gdhendura dhe në tërë vendin e tij do të rënkojnë të plagosurit për vdekje.
53 Edhe sikur Babilonia të ngjitej deri në qiell, edhe sikur ta bënte të pakapshme forcën e saj të lartë, nga ana ime do të vijnë kundër saj disa shkatërrimtarë," thotë Zoti.
54 Zhurma e një britme po vjen nga Babilonia, e një shkatërrimi të madh nga vendi i Kaldasve.
55 Sepse Zoti po shkatërron Babiloninë dhe bën që të pushojë zhurma e saj e madhe; valët e tyre gumëzhijnë, zhurma e zërit të tyre po ngrihet.
56 Shkatërrimtari në fakt erdhi kundër saj, kundër Babilonisë; trimat e saj janë kapur, harqet e tyre janë copëtuar, sepse Zoti është Perëndia i shpërblimeve; ai do t’i shpërblejë me siguri.
57 Unë do t’i deh princat e saj, njerëzit e urtë të saj, qeveritarët e saj, nëpunësit e saj, dhe trimat e saj dhe kështu do të bëjnë një gjumë të përjetshëm dhe nuk do të zgjohen më," thotë Mbreti, emri i të cilit është Zoti i ushtrive.
58 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Muret e gjëra të Babilonisë do të prishen krejtësisht, portat e saj të larta do të digjen me zjarr; kështu popujt do të kenë punuar për asgjë dhe kombet do të jenë munduar vetëm për zjarrin".
8 Tani, o vëllezër, ju bëjmë të ditur hirin e Perëndisë, që u është dhënë kishave të Maqedonisë,
2 se, në mes të shumë sprovave pikëllimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë e treguan në pasuritë e dorëgjërësinë e tyre.
3 Sepse unë dëshmoj se ata kanë dhënë me dëshirë dhe sipas mundësisë së tyre, madje edhe përtej mundësisë së tyre,
4 dhe na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët.
5 Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë.
6 Kështu ne e këshilluam Titin që, ashtu si e nisi këtë vepër të hirit midis jush, ashtu ta përfundojë.
7 Por sikurse ju jeni të pasur në çdo gjë, në besim, në fjalë e në dituri, në çdo kujdes dhe në dashurinë tuaj ndaj nesh, përpiquni të pasuroni edhe në këtë vepër të hirit.