Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 140

140 Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm,

që thurrin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë.

Mprehin gjuhën e tyre si gjarpëri dhe kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre. (Sela)

Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar.

Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela)

Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia.

O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës.

O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela)

Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre.

10 Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen.

11 Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim".

12 Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t’i sigurojë drejtësi të varfërit.

13 Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde.

Jeremia 23:16-22

16 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqinj; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.

17 U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: "Zoti ka thënë: Do të keni paqe"; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: "Asnjë e keqe nuk do t’ju vijë".

18 Por kush ka marrë pjesë në këshillën e Zotit? Kush ka parë, kush ka dëgjuar fjalën e tij? Kush i ka kushtuar kujdes fjalës së tij dhe e ka dëgjuar?

19 Ja furtuna e Zotit po shpërthen me tërbim, një furtunë e tmerrshme do të shpërthejë mbi kryet e të pabesëve.

20 Zemërimi i Zotit nuk do të qetësohet deri sa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së tij; ditët e fundit do të kuptoni fare mirë.

21 Unë nuk i kam dërguar ata profetë; por ata kanë vrapuar; nuk u kam folur atyre, por ata kanë profetizuar.

22 Por, sikur të kishin marrë pjesë në këshillën time, atëherë do të bënin që populli im të dëgjonte fjalët e mia, dhe kështu do ta largonin nga rruga e tyre e keqe dhe nga ligësia e veprimeve të tyre.

Mateu 10:16-25

16 Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.

17 Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.

18 Dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.

19 Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni;

20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.

21 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin.

22 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.

23 Por kur do t’ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.

24 Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.

25 I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!