Revised Common Lectionary (Complementary)
15 Zoti i tha: "Shko, merr përsëri rrugën e kthimit deri në shkretëtirën e Damaskut; kur të arrish aty, do ta vajosësh Hazaelin mbret të Sirisë.
16 Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd.
19 Elia u nis që andej dhe gjeti Eliseun, birin e Shafatit, ndërsa lëronte me dymbëdhjetë pendë qe para tij, dhe ai vetë gjendej me pendën e dymbëdhjetë. Elia i kaloi afër dhe i hodhi sipër mantelin e tij.
20 Atëherë Eliseu la qetë dhe vrapoi pas Elias, duke thënë: "Të lutem, më lër të shkoj të puth atin tim dhe nënen time, pastaj do të të ndjek". Elia iu përgjigj: "Shko dhe kthehu, sepse ç’të kam bërë?".
21 Me t’u larguar nga ai, Eliseu mori një pendë qe dhe i ofroi si flijim; me veglat e qeve poqi mishin dhe ua dhe njerëzve, që e hëngrën. Pastaj u ngrit, shkoi pas Elias dhe u vu në shërbim të tij.
16 Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti.
2 I thashë Zotit: "Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje".
3 Gjithë dashuria ime është vendosur te njerëzit e shenjtë dhe të nderuar që janë mbi tokë.
4 Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t’i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre.
5 Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.
6 Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë.
7 Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.
8 Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.
9 Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,
10 sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.
11 Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.
5 Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.
13 Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit.
14 Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”
15 Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.
16 Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit,
17 sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi.
18 Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj.
19 Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja,
20 idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet,
21 smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
22 Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.
23 Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.
24 Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij.
25 Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim.
51 Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhet të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem,
52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Këta, si u nisën, hynë në një fshat të Samaritanëve, për t’i përgatitur ardhjen.
53 Por ata të fshatit nuk deshën ta pranonin, sepse ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jeruzalemi.
54 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e vet Jakobi dhe Gjoni thanë: “Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?.”
55 Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: “Ju nuk e dini nga cili frymë jeni;
56 sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t’i shpëtuar.” Pastaj shkuan në një fshat tjetër.
57 Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: “Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh.”
58 Por Jezusi i tha: “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën.”
59 Pastaj i tha një tjetri: “Ndiqmë!.” Por ai përgjigjej: “Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim.”
60 Jezusi i tha: “Lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë.”
61 Akoma një tjetër i tha: “Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime.”
62 Jezusi i tha: “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.”