Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 16

16 Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti.

I thashë Zotit: "Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje".

Gjithë dashuria ime është vendosur te njerëzit e shenjtë dhe të nderuar që janë mbi tokë.

Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t’i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre.

Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.

Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë.

Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.

Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.

Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,

10 sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.

11 Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.

2 i Mbretërve 1:1-16

Mbas vdekjes së Ashabit, Moabi u rebelua kundër Izraelit.

Ashaziahu ra nga dritarja e katit të sipërm në Samari dhe u dëmtua. Atëherë dërgoi lajmëtarë të cilëve u tha: "Shkoni të konsultoni Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit, për të ditur në se do ta marr veten nga kjo fatkeqësi".

Por një engjëll i Zotit i tha Tishbitit Elia: "Çohu dhe u dil përpara lajmëtarëve të mbretit të Samarisë dhe u thuaj atyre: "Mos vallë nuk ka Perëndi në Izrael, që ju shkoni të konsultoheni me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit?

Prandaj kështu thotë Zoti: "Ti nuk do të zbresësh më nga shtrati në të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"". Pastaj Elia u largua.

Lajmëtarët u kthyen te Ashaziahu, që i pyeti ata: "Pse u kthyhet?".

Ata u përgjigjën: "Një njeri na doli përpara dhe na tha: "Shkoni te mbreti që ju ka dërguar dhe i thoni: Kështu thotë Zoti: Mos vallë nuk ka asnjë Perëndi në Izrael që ti dërgon njerëz për t’u konsultuar me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj nuk do të zbresësh nga shtrati mbi të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"".

Atëherë mbreti i pyeti ata: "Si ishte njeriu që ju doli përpara dhe ju tha këto fjalë?".

Ata u përgjigjën: "Ishte një njeri i veshur me rroba leshi dhe me një brez prej lëkure rreth ijeve"; Ashaziahu tha: "Éshtë Elia, Tishbiti!".

Atëherë mbreti dërgoi tek Elia një kapiten pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij; ai u ngjit tek ai dhe e gjeti Elian të ulur në majë të malit. Kapiteni i tha: "O njeriu i Perëndisë, mbreti të urdhëron të zbresësh".

10 Elia u përgjigj dhe i tha kapitenit të pesëdhjetëshes: "Në rast se jam një njeri i Perëndisë, të zbresë zjarr nga qielli dhe të të zhdukë ty dhe të pesëdhjetë njerëzit që janë me ty!". Dhe nga qielli zbriti një zjarr, që zhduku atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.

11 Atëherë mbreti i dërgoi një kapiten tjetër pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij, që iu drejtua Elias dhe i tha: "O njeriu i Perëndisë, mbreti të urdhëron të zbresësh menjëherë".

12 Elia u përgjigj dhe u tha atyre: "Në qoftë se jam një njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarr nga qielli dhe të të zhdukë ty dhe pesëdhjetë njerëzit e tu". Dhe nga qielli zbriti zjarri i Perëndisë që zhduku atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.

13 Mbreti dërgoi edhe një kapiten të tretë pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij. Ky kapiten i tretë pesëdhjetësheje u ngjit dhe shkoi e u shtri para Elias, duke e lutur: "O njeriu i Perëndisë, të lutem, jeta ime e këtyre pesëdhjetë shërbëtorëve të tu qofshin të çmuara në sytë e tu!

14 Ja, një zjarr zbriti nga qielli dhe zhduku dy kapitenët e parë të pesëdhjetëshes me pesëdhjetë njerëzit e tyre; por tani jeta ime qoftë e çmuar në sytë e tu".

15 Engjëlli i Zotit i tha Elias: "Zbrit me të dhe mos ki frikë prej tij". Prandaj Elia u ngrit dhe zbriti bashkë me të te mbreti,

16 dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: "Pse nuk paska në Izrael asnjë Perëndi, me fjalën e të cilit të mund të këshillohesh, që ti dërgove lajmëtarë te Baal-Zebubi, perëndi e Ekronit? Për këtë arësye ti nuk do të zbresësh nga shtrati në të cilin ke hipur, por ke për të vdekur me siguri"".

Galatasve 4:8-20

Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;

kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni?

10 Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.

11 Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.

12 O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s’më keni bërë asnjë të keqe.

13 Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;

14 dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s’patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.

15 Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m’i jepnit mua.

16 A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?

17 Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t’ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre.

18 Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush.

19 Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!

20 Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.