Revised Common Lectionary (Complementary)
130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.
2 O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.
3 Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?
4 Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.
5 Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.
6 Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.
7 O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.
8 Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.
29 Ezekia ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abijah; ishte bija e Zakarias.
2 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar Davidi, i ati.
3 Në vitin e parë të mbretërimit të tij, në muajin e parë, ai hapi portat e shtëpisë të Zotit dhe i restauroi.
4 Pastaj solli priftërinjtë dhe Levitët, dhe i mblodhi në sheshin lindor,
5 dhe u tha: "Më dëgjoni, o Levitë! Tani shenjtërohuni dhe shenjtëroni shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, dhe nxirrni nga vendi i shenjtë çdo gjë të papastër.
6 Sepse etërit tanë kanë kryer mëkate dhe kanë bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë tonë dhe e kanë braktisur, duke i hequr fytyrat e tyre nga banesa e Zotit dhe duke i kthyer krahët.
7 Ata madje kanë mbyllur portat e portikut, kanë shuar llambat dhe nuk kanë djegur më temjan as nuk kanë ofruar olokauste në vendin e shenjtë të Perëndisë të Izraelit.
8 Prandaj zemërimi i Zotit ra mbi Judën dhe Jeruzalemin, dhe ai i ka braktisur në telashe, në shkretim dhe në përbuzje, siç mund ta shihni me sytë tuaj.
9 Dhe ja, për shkak të kësaj, etërit tanë ranë nga goditjet e shpatës, dhe bijtë tanë, bijat tona dhe gratë tona janë në robëri.
10 Tani kam në zemër të bëj një besëlidhje me Zotin, Perëndinë e Izraelit, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet prej nesh.
11 Bij të mij, mos u tregoni të shkujdesur tani, sepse Zoti ju ka zgjedhur që t’i shërbeni atij, që të jemi shërbëtorët e tij dhe që t’i ofroni temjan".
12 Atëherë Levitët u ngritën: Mahathi, bir i Amasait, Joeli, bir i Azariahut, nga bijtë e Kehathit. Nga bijtë e Merarit, Kishi, bir i Abdiut dhe Azariahut, bir i Jehalelelit. Nga Ghershonitët, Joahu, bir i Zimahut dhe Edeni, bir i Joahut.
13 Nga bijtë e Elitsafanit, Shimri dhe Jeieli. Nga bijtë e Asafit, Zakaria dhe Mataniahu.
14 Nga bijtë e Hemanit, Jehieli dhe Shimei. Nga bijtë e Jeduthunit, Shemajahu dhe Uzieli.
15 Ata mblodhën vëllezërit e tyre dhe u shenjtëruan; pastaj hynë në shtëpinë e Zotit për ta pastruar, sipas urdhrit të mbretit, në përputhje me fjalët e Zotit.
16 Kështu priftërinjtë hynë brënda shtëpisë të Zotit për ta pastruar dhe nxorën jashtë, në oborrin e shtëpisë të Zotit, të gjitha sendet e papastra që gjetën në tempullin e Zotit; Levitët i morën për t’i çuar jashtë në përroin e Kidronit.
17 Filluan të shenjtërohen ditën e parë të muajit; ditën e tetë të muajit hynë në portikun e Zotit; brenda tetë ditëve pastruan shtëpinë e Zotit dhe e përfunduan ditën e gjashtëmbëdhjetë të muajit të parë.
18 Pastaj hynë në pallatin e mbretit Ezekia dhe i thanë: "Kemi pastruar tërë shtëpinë e Zotit, altarin e olokausteve me të gjitha veglat e tij dhe tryezën e bukëve të paraqitjes me gjithë veglat e saj.
19 Përveç kësaj kemi vënë përsëri në vend dhe kemi pastruar të gjitha përdorëset që mbreti Ashaz në mëkatin e tij kishte flakur tej gjatë mbretërimit të tij; dhe ja, tani janë përpara altarit të Zotit".
3 O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush?
2 Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit?
3 A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?
4 A thua hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot?
5 Ai që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën me anë të veprave të ligjit apo me anë të predikimit të besimit?
6 Kështu Abrahami “e besoi Perëndinë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”;
7 Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit.
8 Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t’i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: “Të gjitha kombet do të bekohen në ty.”
9 Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham.