Revised Common Lectionary (Complementary)
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
6 Ah, dëgjoni atë që thotë Zoti: "Çohu, mbro kauzën tënde përpara maleve dhe kodrat le të dëgjojnë zërin tënd".
2 Dëgjoni, o male, kundërshtimin e Zotit, dhe ju themele të forta të tokës, sepse Zoti ka një kundërshtim me popullin e tij dhe dëshiron të diskutojë me Izraelin.
3 "Populli im, çfarë të kam bërë dhe me çfarë të kam lodhur? Dëshmo kundër meje.
4 Sepse unë të nxora nga vendi i Egjiptit, të çlirova nga shtëpia e skllavërisë dhe kam dërguar para teje Moisiun, Aaronin dhe Miriamin.
5 O populli im, mbaj mend atë që Balaku, mbreti i Moabit, kurdiste dhe si iu përgjigj Balaami, biri i Beorit, nga Shitimi deri në Gilgal me qëllim që ti të pranosh drejtësinë e Zotit".
6 Me se do të vij përpara Zotit dhe do të përkulem përpara Perëndisë së lartë? Do të vij para tij me olokauste, me viça motakë?
7 Do të pëlqej Zoti mijëra desh ose mori rrëkesh vaji? Do të jap të parëlindurin tim për shkeljen time, frytin e barkut tim për mëkatin e shpirtit tim?
8 O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?
31 Kur doli ai, Jezusi tha: “Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.
32 Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
33 Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.
34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.
35 Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”