Revised Common Lectionary (Complementary)
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
10 Kur pastaj Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin për të cilin iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të të japë qytete të mëdha dhe të bukura që ti nuk i ke ndërtuar,
11 dhe shtëpi plot me të mira që ti nuk i ke mbushur, puse të çelur që ti nuk i ke gërmuar, vreshta dhe ullishte që ti nuk i ke mbjellë; kur të kesh ngrënë dhe të jesh ngopur,
12 ki kujdes të mos harrosh Zotin që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.
13 Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh dhe do të betohesh për emrin e tij.
14 Nuk do të shkoni pas perëndive të tjera midis perëndive të popujve që ju rrethojnë,
15 (sepse Zoti, Perëndia yt, që ndodhet në mes teje, është një Perëndi ziliqar); përndryshe zemërimi i Zotit, Perëndisë tënd, do të ndizej kundër teje dhe do të bënte që ti të zhdukesh nga faqja e dheut.
16 Nuk do të tundoni Zotin, ashtu si u përpoqët në Masa.
17 Do të respektoni me kujdes urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, rregullat dhe statutet e tij që ai ju ka urdhëruar.
18 Prandaj do të bësh atë që është e drejtë dhe e mirë në sytë e Zotit, që ti të përparosh dhe të hysh e të pushtosh vendin e mirë që Zoti iu betua t’u japë etërve të tu,
19 duke dëbuar tërë armiqtë e tu, ashtu siç kishte premtuar Zoti.
20 Kur në të ardhmen biri yt do të të pyesë: "Çfarë kuptimi kanë këto rregulla, statute dhe dekrete, që Zoti, Perëndia ynë, ju ka urdhëruar?,"
21 ti do t’i përgjigjesh birit tënd: "Ishim skllevër të Faraonit në Egjipt dhe Zoti na nxori nga Egjipti me një dorë të fuqishme
22 Përveç kësaj Zoti veproi para syve tona, kreu mrekulli të mëdha dhe të tmerrshme kundër Egjiptit, Faraonit dhe gjithë shtëpisë së tij.
23 Dhe na nxori që andej për të na çuar në vendin që u ishte betuar t’u jepte etërve tanë.
24 Kështu Zoti na urdhëroi të zbatonim në praktikë të gjitha këto statute duke pasur frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që të kemi gjithnjë mirëqënie dhe që ai të na mbante të gjallë, siç po ndodh tani.
25 Dhe kjo do të jetë drejtësia jonë në rast se kujdesemi të zbatojmë në praktikë tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç na ka urdhëruar"".
17 Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.
18 Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.
19 Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti.”
20 “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur.”
21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.
8 Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin.
9 Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo,” dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”
10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.