Revised Common Lectionary (Complementary)
119 Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.
2 Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër
3 dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.
4 Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.
5 Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.
6 Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.
7 Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.
8 Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.
32 Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun dhe ki frikë nga Perëndia yt. Unë jam Zoti.
33 Kur një i huaj banon bashkë me ju në vendin tuaj, mos e trajtoni keq.
34 Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
35 Nuk do të bëni padrejtësi në gjykime, përsa u përket masave të gjatësisë, të peshës dhe të kapacitetit.
36 Do të keni peshore të sakta, pesha të sakta, efa të saktë, hin të saktë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj që ju nxori nga vendi i Egjiptit.
37 Do të respektoni, pra, të gjitha statutet dhe dekretet e mia dhe do t’i vini në zbatim. Unë jam Zoti.
21 Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët,
22 madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim;
23 sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,
24 por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.
25 Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë,
26 për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.
27 Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit.
28 Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.
29 A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve.
30 Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit.
31 Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.