Revised Common Lectionary (Complementary)
18 Pastaj Zoti Perëndi tha: "Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që i leverdis".
19 Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t’i quante; dhe sido që njeriu t’i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre.
20 Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të.
21 Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend.
22 Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu.
23 Dhe njeriu tha: "Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri".
24 Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.
8 Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!
2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.
3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,
4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?
5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!
7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,
8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.
9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!
1 Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve,
2 së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.
3 Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,
4 edhe u bë aq më i lartë nga engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi.
5 Sepse Perëndia nuk e vuri nën pushtet të engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilin po flasim,
6 por dikush dëshmoi diku duke thënë: “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?
7 Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua;
8 Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij.” Sepse, mbasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa iu nënshtruar. Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij,
9 por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.
10 Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.
11 Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një; prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,
12 duke thënë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpall emrin tënd, do të të lavdëroj në mes të kishës.”
2 Dhe farisenjtë, për ta vënë në provë, e pyetën: “A është e ligjshme që burri ta lë gruan?.”
3 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?.”
4 Ata thanë: “Moisiu ka lejuar të shkruhet letra e shkurorëzimit dhe ta lësh gruan.”
5 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj ai e shkroi atë rregull;
6 por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër.
7 Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij;
8 dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm.
9 Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!.”
10 Dhe në shtëpi dishepujt e vet e pyetën përsëri për këtë çështje.
11 Atëherë ai u tha atyre: “Ai që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të.
12 Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën.
13 Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t’i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë.
14 Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.
15 Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të.”
16 Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta.