Revised Common Lectionary (Complementary)
7 Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.
8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.
9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.
11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.
12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.
13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.
14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.
1 Këto janë fjalët që Moisiu i drejtoi Izraelit matanë Jordanit, në shkretëtirë, në Arabah, përballë Sufit, midis Paranit, Tofelit, Labanit, Hatserothit dhe Zahabit.
2 Ka njëmbëdhjetë ditë rrugë nga mali Horeb, duke ndjekur rrugën e malit Seir, deri në Kadesh-Barnea.
3 Në vitin e dyzetë në muajin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, Moisiu u foli bijve të Izraelit, simbas porosive që i kishte dhënë Zoti,
4 mbas mundjes së Sihonit, mbretit të Amorejve që banonte në Heshbon, dhe të Ogut, mbretit të Bashanit që banonte në Ashtaroth dhe në Edrej.
5 Matanë Jordanit, në vendin e Moabit, Moisiu filloi ta shpjegojë këtë ligj, duke thënë:
6 "Zoti, Perëndia ynë, na foli në Horeb dhe na tha: "Ju keni ndenjur mjaft afër këtij mali;
7 çoni çadrat, vihuni në lëvizje dhe shkoni në drejtim të krahinës malore të Amorejve dhe në drejtim të të gjitha vendeve të afërta me Arabahun, në krahinën malore dhe në ultësirën, në Negev e në bregun e detit, në vendin e Kananejve dhe në Liban, deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit.
8 Ja, unë e vura vendin para jush; hyni dhe shtjireni në dorë vendin që Zoti ishte betuar t’ua jepte etërve tuaj, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, atyre dhe pasardhësve të tyre mbas tyre"".
9 "Në atë kohë unë ju fola dhe ju thashë: "Unë nuk mund ta mbaj i vetëm barrën që përfaqësoni ju të tërë.
10 Zoti, Perëndia juaj, ju ka shumuar, dhe ja, sot jeni në numër të madh si yjet e qiellit.
11 Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju bëftë njëmijë herë më të shumtë, dhe ju bekoftë ashtu si ju ka premtuar!
12 Por si mundem unë, duke qenë i vetëm, të mbaj barrën tuaj, peshën tuaj dhe grindjet tuaja?
13 Zgjidhni nga fiset tuaja burra të urtë, me gjykim e me përvojë, dhe unë do t’i bëj prijës tuaj".
14 Dhe ju m’u përgjigjët, duke thënë: "Ajo që ti propozon të bësh është e mirë".
15 Atëherë mora prijësit e fiseve tuaja, njerëz të urtë dhe me përvojë, dhe i caktova si prijës tuaj, prijës të mijërave, të qindrave të pesëdhjetëve, të dhjetrave, dhe oficerë të fiseve tuaja.
16 Në atë kohë u dhashë këtë urdhër gjykatësve tuaj, duke u thënë: "Dëgjoni dhe gjykoni me drejtësi grindjet midis vëllezërve tuaj, midis një njeriu dhe të vëllait ose të huajit që ndodhet pranë tij.
17 Në gjykimet tuaja nuk do të keni konsiderata personale; do të dëgjoni si të madhin ashtu edhe të voglin; nuk do të keni frikë nga asnjeri, sepse gjykimi i përket Perëndisë; çështjen që është shumë e vështirë për ju do të ma paraqisni mua, dhe unë do ta dëgjoj".
18 Në atë kohë unë ju urdhërova të gjitha gjërat që duhet të bënit".
20 Por Herodi ishte i zemëruar kundër tirasve dhe sidonasve; por ata, si u morën vesh midis tyre, u paraqitën para tij dhe, mbasi ia mbushën mendjen Blastit, kamarierit të mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre furnizohej me ushqime nga vendi i mbretit.
21 Ditën e caktuar Herodi, i veshur me mantelin mbretëror dhe i ulur mbi fron, u mbajti një fjalim.
22 Populli e brohoriste, duke thënë: “Zë e Perëndisë dhe jo e njeriut!.”
23 Në atë çast një engjëll i Zotit e goditi, sepse nuk i kishte dhënë lavdi Perëndisë; dhe, i brejtur nga krimbat, vdiq.
24 Ndërkaq fjala e Perëndisë rritej dhe përhapej.
25 Dhe Barnaba dhe Sauli, mbasi e përfunduan misionin e tyre, u kthyen nga Jeruzalemi në Antioki duke e marrë me vete Gjonin, të mbiquajtur Mark.