Revised Common Lectionary (Complementary)
169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.
170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.
171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.
172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.
173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.
174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.
175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.
176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.
12 Por do të ndodhë që, kur Zoti të ketë mbaruar tërë veprën e tij në malin Sion dhe në Jeruzalem, ai do të thotë: "Unë do të dënoj frytin e mëndjemadhësisë së zemrës së mbretit të Asirisë dhe lavdinë e syve të tij krenarë".
13 Në fakt ai thotë: "E bëra me forcën e dorës sime dhe me diturinë time, sepse jam i zgjuar; lëviza kufijtë e popujve, plaçkita thesaret e tyre dhe si një njeri i fuqishëm shfuqizova ata që rrinin mbi fron.
14 Dora ime ka gjetur si një fole pasuritë e popujve; ashtu si dikush mbledh vezët e braktisura, kështu unë grumbullova tërë dheun dhe nuk pati asnjeri që të lëvizë krahët, apo të hapë sqepin dhe të pingërojë".
15 Mos vallë sëpata lëvdohet me atë që pret me të ose mburret sharra me atë që e përdor? Ashtu si shufra të duhej të drejtonte atë që e ngre, apo shkopi të mund të ngrihej a thua se nuk është prej druri!
16 Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, do të dërgojë ligështimin midis radhëve të tyre më të fuqishme, dhe në vend të lavdisë së tij ai do të ndezë një zjarr, si flakët e një zjarri.
17 Kështu drita e Izraelit do të bëhet një zjarr dhe i Shenjti i tij një flakë, që do të flakërojë dhe do të përpijë ferrat dhe gjembat brenda një dite të vetme.
18 Ai do të konsumojë lavdinë e pyllit të tij dhe të fushës pjellore të tij nga shpirti deri te trupi; do të jetë si një i sëmurë që ligështohet.
19 Pjesa tjetër e drurëve të pyllit të tij do të katandiset në një numër aq të vogël që edhe një fëmijë mund t’i numërojë.
20 Atë ditë do të ndodhë që pjesa që mbetet e Izraelit dhe ata që kanë shpëtuar nga shtëpia e Jakobit nuk do të mbështeten më mbi atë që i godiste, por do të mbështeten në të vërtetë mbi Zotin, të Shenjtin e Izraelit.
25 Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: “A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?
26 E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?
27 Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është.”
28 Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: “Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s’kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.
29 Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi.”
30 Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s’kishte ardhur akoma.
31 Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: “Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?.”
32 Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur.
33 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar.
34 Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini.”
35 Prandaj Judenjtë thonin në mes tyre: “Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis Grekëve, dhe të mësojë Grekët?
36 Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?.”