Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Isaia 35:4-7

U thoni atyre që e kanë humbur zemrën: "Bëhuni të fortë, mos kini frikë!". Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrjen dhe me shpërblimin e Perëndisë; do të vijë ai vetë për t’ju shpëtuar.

Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve;

atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar.

Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash; në vendet ku shtriheshin çakejtë do të ketë bar me kallamishte dhe xunkth.

Psalmet 146

146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.

Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.

Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.

Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.

Jakobit 2:1-10

Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë.

Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,

dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: “Ti ulu këtu, në vendin e mirë,” dhe të varfërit i thoni: “Ti rri atje, në këmbë,” ose: “Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia,”

a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?

Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?

Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?

A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?

Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: “Duaje të afërmin tënd si vetveten,” bëni mirë;

por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.

10 Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.

Jakobit 2:11-13

11 Sepse ai që ka thënë: “Mos shkel kurorën,” ka thënë gjithashtu: “Mos vraj.” Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.

12 Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,

13 sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.

Jakobit 2:14-17

14 Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?

15 Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,

16 dhe dikush nga ju u thothë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni,” dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka?

17 Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.

Marku 7:24-37

24 Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.

25 Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.

26 Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija;

27 por Jezusi i tha: “Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve të qenve.”

28 Por ajo u përgjigj dhe i tha: “Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërimet e fëmijëve!”

29 Atëherë ai i tha: “Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!.”

30 Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë.

31 Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit.

32 Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t’i vërë duart mbi të.

33 Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtrinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën.

34 Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha,” që do të thotë: “Hapu!.”

35 Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

36 Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin.

37 Dhe, të habitur shumë, thonin: “Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!.”