Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 106:1-6

106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?

Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.

Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,

me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.

Psalmet 106:13-23

13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.

14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.

15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.

16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,

17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.

18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.

19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,

20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.

21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,

22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.

23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.

Psalmet 106:47-48

47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.

48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.

Ligji i Përtërirë 4:21-40

21 Zoti u zemërua me mua për shkakun tuaj, dhe u betua që nuk do ta kaloja Jordanin dhe nuk do të hyja në vendin e mirë që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

22 Kështu unë do të vdes në këtë vend pa kaluar Jordanin; ju do ta kaloni dhe do të shtini në dorë atë vend të mirë.

23 Ruhuni se harroni besëlidhjen që Zoti, Perëndia juaj, ka lidhur me ju, dhe bëni ndonjë shëmbëlltyrë të gdhendur në trajtën e çfarëdo gjëje që Zoti, Perëndia yt, e ka ndaluar.

24 Sepse Zoti, Perëndia yt, është një zjarr që të konsumon, një Zot ziliqar.

25 Kur të kesh pjellë bij dhe bij të bijve të tu, dhe të keni banuar për një kohë të gjatë në atë vend, në rast se shthureni dhe sajoni shëmbëlltyra të gdhendura në trajtën e çfarëdo gjëje, dhe bëni të keqen në sytë e Zotit, Perëndisë tuaj, për ta ngacmuar,

26 unë thërres sot për të dëshmuar kundër jush qiellin dhe tokën, se ju do të zhdukeni shpejt plotësisht nga vendi ku shkoni për t’u bërë zotër të tij, duke kaluar Jordanin. Ju atje nuk do t’i zgjatni ditët tuaja, por do të shkatërroheni plotësisht.

27 Dhe Zoti do t’ju shpërndajë midis popujve, dhe nuk do të mbetet nga ju veçse një numër i vogël njerëzish midis kombeve ku do t’ju çojë Zoti.

28 Dhe atje do t’u shërbeni perëndive prej druri e prej guri, të bëra nga dora e njeriut, që nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk hanë dhe nuk nuhasin.

29 Por aty do të kërkosh Zotin, Perëndinë tënd; dhe do ta gjesh, në rast se do ta kërkosh me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

30 Kur do të jesh në ankth dhe do të kenë ndodhur tërë këto gjëra, në kohën e fundit, do të kthehesh tek Zoti, Perëndia yt, dhe do ta dëgjosh zërin e tij;

31 (sepse Zoti, Perëndia yt, është një Zot mëshirëplotë); ai nuk të ka braktisur dhe nuk do të të shkatërrojë, nuk do të harrojë besëlidhjen për të cilën iu betua etërve të tu.

32 Pyet gjithashtu kohërat e lashta, që kanë qenë para teje, nga dita që Perëndia krijoi njeriun në tokë, dhe pyet nga një anë e qiellit në tjetrën në se ka pasur ndonjë herë një gjë aq të madhe si kjo ose në se është dëgjuar një gjë e tillë si kjo.

33 A ka pasur vallë ndonjë popull që të ketë dëgjuar zërin e Perëndisë të flasë nga mesi i zjarrit, siç e dëgjove ti, dhe të ketë mbetur gjallë?

34 A ka pasur vallë ndonjë Perëndi që ka provuar të shkojë e të marrë për vete një komb në mes të një kombi tjetër me anë provash, shenjash, mrekullish dhe betejash, me dorë të fuqishme, me krahë të shtrirë dhe me ankthe të mëdha terrori, siç bëri për ju Zoti, Perëndia juaj, në Egjipt para syve tuaj?

35 Të tëra këto të janë treguar, në mënyrë që të pranosh se Zoti është Perëndi dhe që nuk ka asnjë tjetër veç tij.

36 Nga qielli bëri që të dëgjosh zërin e tij që të të mësojë; dhe mbi tokë të bëri të shikosh zjarrin e tij të madh dhe dëgjove fjalët e tij në mes të zjarrit.

37 Dhe nga që i deshi etërit e tu, ai zgjodhi pasardhësit e tyre dhe i nxori nga Egjipti në prani të tij, me anë të fuqisë së tij të madhe.

38 duke dëbuar para teje kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ti, me qëllim që ti të hyje dhe ta merrje si trashëgimi vendin e tyre.

39 Mëso, pra, sonte dhe mbaje në zemrën tënde që Zoti është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë, dhe se nuk ka asnjë tjetër.

40 Respekto pra statutet dhe urdhërimet e tij që unë po të jap sot, që të jetosh në begati ti dhe bijtë e tu mbas teje dhe të zgjatësh ditët e tua në vendin që Zoti, Perëndiai yt, po të jep për gjithnjë".

Marku 7:9-23

U tha atyre akoma: “Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj.

10 E në fakt Moisiu tha: "Ndero atin tënd dhe nënën tënde," dhe: "Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje".

11 Por ju thoni: "Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë,"

12 nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet,

13 duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme.”

14 Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni:

15 Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin.

16 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!

17 Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës.

18 Dhe ai u tha atyre: “Edhe ju qënkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë,

19 sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?.” Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet.

20 Tha akoma: “Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur.

21 Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet,

22 vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku.

23 Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut.”