Revised Common Lectionary (Complementary)
123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.
2 Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.
3 Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.
4 Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.
16 Prandaj mos ndërhy për këtë popull, mos lësho për ata asnjë britmë ose lutje dhe mos ngul këmbë pranë meje se nuk do të kënaq.
17 A nuk shikon çfarë po bëjnë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit?
18 Bijtë mbledhin drutë, etërit ndezin zjarrin dhe gratë mbrujnë mjellin për të përgatitur kulaç për mbretëreshën e qiellit, dhe pastaj u bëjnë libacione perëndive të tjera për të më zemëruar mua.
19 Por a më ngacmojnë me të vërtetë," thotë Zoti "ose më mirë veten e tyre dhe mbulohen me turp?".
20 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, zemërimi im, tërbimi im do të bjerë mbi këtë vend, mbi njerëzit dhe kafshët, mbi drurët e fushës dhe mbi frytet e tokës dhe do të djegë pa u shuar".
21 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Shtojini olokaustet tuaja sakrificave tuaja dhe hani mishin e tyre!
22 Sepse unë nuk u fola etërve tuaj dhe nuk u dhashë atyre asnjë urdhër, kur bëra që të dalin nga vendi i Egjiptit, përsa u përket olokausteve dhe flijimeve;
23 por këtë urdhër u dhashë: "Dëgjoni zërin tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im; ecni në të gjitha rrugët që ju kam urdhëruar, që të jeni të lumtur".
24 Por ata nuk dëgjuan as ma vunë veshin, por ecën sipas këshillave dhe kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe, dhe shkuan prapa dhe jo përpara.
25 Nga dita në të cilën etërit tuaj dolën nga vendi i Egjiptit e deri më sot, ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët çdo ditë me urgjencë dhe insistim.
26 Por ata nuk më kanë dëgjuar as ma vunë veshin, por e fortësuan zverkun e tyre dhe u sollën më keq se etërit e tyre.
7 A i shihni gjërat sipas pamjes së jashtme? Në qoftë se dikush është i bindur në veten e tij se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetja e tij: sikurse ai është i Krishtit, ashtu edhe ne jemi të Krishtit.
8 Edhe, nëse unë do ta mburrja veten më tepër për autoritetin tonë, që Zoti na dha për ndërtimin tuaj dhe jo për shkatërrimin tuaj, nuk do të turpërohesha.
9 Nuk dua të dukem se po kërkoj t’ju tremb me letrat e mia.
10 Sepse dikush thotë: “Letrat e tij janë të ashpra dhe të fuqishme, kurse paraqitja e tij trupore është e dobët, dhe fjala e tij ka pak peshë.”
11 Le ta dijë, pra, ai njeri, se ashtu si jemi në fjalë, me anë të letrave kur jemi larg, të tillë do të jemi edhe me vepra, kur të jemi të pranishëm.