Revised Common Lectionary (Complementary)
38 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:
2 "Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim?
3 Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
4 Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.
5 Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur?
6 Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes,
7 kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi?
8 Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës,
9 kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena?
10 Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta,
11 dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"?
107 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,
3
23 Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha,
24 shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit.
25 Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit.
26 Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi.
27 Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç’të bëjnë.
28 Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre.
29 Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë.
30 Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.
31 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve;
32 le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve.
6 Dhe, duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë,
2 sepse ai thotë: “Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova.” Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit.
3 Ne nuk japim asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë;
4 por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica,
5 në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime,
6 me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur,
7 me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë,
8 në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq;
9 si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë;
10 si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.
11 Goja jonë u hap për ju, o Korintas, zemra jonë u bë e gjërë.
12 Ju nuk jeni ngushtë në ne, por ju jeni të ngushtë në zemrat tuaj.
13 Por në shkëmbim po ju flas si fëmijve, bëhuni të gjërë edhe ju.
35 Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: “Kalojmë te bregu matanë!
36 Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.
37 Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej.
38 Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?.”
39 Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: “Pusho dhe fashitu!.” Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.
40 Atëherë u tha atyre: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?.”
41 Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?.”