Revised Common Lectionary (Complementary)
107 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,
3
23 Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha,
24 shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit.
25 Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit.
26 Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi.
27 Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç’të bëjnë.
28 Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre.
29 Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë.
30 Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.
31 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve;
32 le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve.
21 Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time.
22 Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese.
23 Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit.
24 Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime.
25 Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit.
30 "Tani përkundrazi më të rinjtë se unë më përqeshin, ata që etërit e tyre nuk do të kishin pranuar t’i vija midis qenve të kopesë sime.
2 Fundja, për çfarë do të më shërbente forca e duarve të tyre? Fuqia e tyre është shkatërruar.
3 Të sfilitur nga mizerja dhe nga uria, ikin natën në shketëtirën e shkretuar dhe shterpë,
4 duke shkulur bar të hidhur pranë gëmushave dhe rrënjë gjineshtre për ushqimin e tyre.
5 Janë përzënë nga mjediset prej njerëzve që ulërijnë prapa tyre si të ishin vjedhës.
6 Janë të detyruar të jetojnë në skërkat e luginave, në shpellat e tokës dhe midis shkëmbinjve;
7 ulërijnë midis kaçubeve dhe shtrëngohen bashkë nën ferrishtat;
8 njerëz budallenj, po, njerëz pa vlerë, të dëbuar nga vendi i tyre.
9 Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre.
10 Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë.
11 Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë thyer çdo fre para meje.
12 Këta zuzarë çohen në të djathtën time, i shtyjnë larg këmbët e mia dhe përgatitin kundër meje rrugët që të më shkatërrojnë.
13 Prishin rrugën time, keqësojnë fatkeqësinë time, megjithëse askush nuk i ndihmon.
14 Afrohen si nëpërmjet një të çare të madhe, sulen kundër meje si një stuhi.
15 Më sulmojnë tmerre; gjuajnë nderin tim si era, dhe begatia ime zhdavaritet si një re.
21 Mbasi u ndamë nga ta, lundruam dhe, duke shkuar drejt, arritëm në Koos, ditën tjetër në Rodos dhe që andej në Patara.
2 Edhe, si gjetëm një anije që shkonte për Feniki, hipëm dhe lundruam.
3 Pamë nga larg Qipron dhe e lamë në të majtë, vazhduam lundrimin për në Siri dhe dolëm në Tiro, sepse atje anija kishte për të shkarkuar.
4 Dhe, si i gjetëm dishepujt, qëndruam atje shtatë ditë; të shtyrë nga Fryma, ata i thoshin Palit të mos ngjitej në Jeruzalem.
5 Kur i plotësuam ato ditë, u nisëm dhe shkuam; dhe na përcollën të gjithë, me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit; dhe si u ulëm në gjunjë në breg, u lutëm.
6 Dhe, mbasi u përshëndetëm, hipëm në anije, kurse ata u kthyen në shtëpitë e veta.
7 Kur mbaruam lundrimin, nga Tiro erdhëm në Ptolemaidë dhe, si përshëndetëm vëllezërit, kaluam një ditë me ta.
8 Të nesërmen u nisëm (ne që ishim shokë me Palin), arritëm në Cezare dhe hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte një nga të shtatët, dhe ndenjëm tek ai.
9 Por ai kishte katër bija virgjëresha, që profetizonin.
10 Dhe, pasi qëndruam ne atje shumë ditë, zbriti nga Judeja një farë profeti me emër Agabo.
11 Si erdhi te ne, ai mori brezin e Palit, lidhi duart dhe këmbët e veta dhe tha: “Këtë thotë Fryma e Shenjtë: Kështu do ta lidhin Judenjtë në Jeruzalem burrin, të cilit i përket ky brez dhe do t’a dorëzojnë johebrenjve.”
12 Kur i dëgjuam këto gjëra, ne dhe vendësit iu lutëm që të mos ngjitej në Jeruzalem.
13 Por Pali u përgjigj: “Ç’po bëni ju, duke qarë e duke ma copëtuar zemrën? Sepse unë jam gati jo vetëm për të qenë i lidhur, por edhe për të vdekur në Jeruzalem për emrin e Zotit Jezus.”
14 Dhe, mbasi nuk i mbushej mendja, ne pushuam duke thënë: “U bëftë vullneti i Zotit!.”
15 Dhe pas atyre ditëve, bëmë gati gjërat tona, dhe u ngjitëm në Jeruzalem.
16 Me ne erdhën edhe disa dishepuj nga Cezareja dhe prunë me ta njëfarë Mnasoni, lindur në Qipro, një dishepull i vjetër, tek i cili do të bujtnim.