Revised Common Lectionary (Complementary)
52 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme.
2 Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh.
3 Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela)
4 Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare.
5 Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela)
6 Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë:
7 "Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij".
8 Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.
9 Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.
22 Kështu thotë Zoti: "Zbrit në shtëpinë e mbretit të Judës dhe aty shqipto këto fjalë,
2 duke thënë: Dëgjo fjalën e Zotit, o mbret i Judës, që rri ulur mbi fronin e Davidit, ti, shërbëtorët e tu dhe populli yt, që hyni nëpër këto porta.
3 Kështu thotë Zoti: Veproni me ndershmëri dhe drejtësi, çlirojeni atë që e kanë vjedhur nga dora e shtypësit, mos i bini më qafë dhe mos ushtroni dhunë kundër të huajit, jetimit dhe gruas së ve dhe mos derdhni gjak të pafajmë në këtë vend.
4 Sepse, po t’u përmbahemi tërësisht këtyre fjalëve, atëherë mbretërit e ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nëpër portat e kësaj shtëpie, të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata vetë, shërbëtorët e tyre dhe populli i tyre.
5 Por në rast se nuk do të dëgjoni këto fjalë, unë betohem për veten time," thotë Zoti, "që kjo shtëpi do të shkretohet".
6 Sepse kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës: "Ti ishe për mua si Galaadi, si maja e Libanit. Por unë do të të katandis me siguri në një vend të shkretë, në një qytet pa banorë.
7 Po përgatis kundër teje shkatërrues, secili me armët e tij; ata do të rrëzojnë kedrat e tu më të mirë dhe do t’i hedhin në zjarr.
8 Shumë kombe do të kalojnë pranë këtij qyteti dhe do t’i thonë njëri tjetrit: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë qytet të madh?".
9 Dhe do të përgjigjen: "Sepse e kanë braktisur besëlidhjen me Zotin, Perëndinë e tyre, dhe kanë rënë përmbys para perëndive të tjera dhe u kanë shërbyer".
43 Sepse nuk ka pemë të mirë që të japë fryt të keq, as pemë të keqe që të japë fryt të mirë.
44 Çdo pemë, pra, njihet nga fryti i vet, sepse nuk mblidhen fiq nga gjembat dhe nuk vilet rrush nga ferra.
45 Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës.