Revised Common Lectionary (Complementary)
52 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme.
2 Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh.
3 Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela)
4 Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare.
5 Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela)
6 Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë:
7 "Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij".
8 Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.
9 Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.
31 Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e tretë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
2 "Bir njeriu, i thuaj Faraonit, mbretit të Egjiptit dhe turmës së tij: Kujt i ngjet ti në madhështinë tënde?
3 Ja, Asiria jote ishte një kedër Libani, me degë të bukura, me hijen e një pylli, me trung të gjatë dhe me majë që ngrihej midis degëve të dëndura.
4 Ujrat e bënin të rritej, uji i nëndheshëm e kishte bërë të lartë, me lumenjtë e tij që rridhnin rreth e qark vendit ku ishte mbjellë, ndërsa u dërgonte rrëketë e tij tërë drurëve të fushës.
5 Prandaj lartësia e saj ishte ngritur mbi të gjithë drurët e fushës, degët e tij ishin shumuar, ato ishin zgjatur nga bollëku i ujrave gjatë rritjes së tij.
6 Tërë zogjtë e qiellit bënin folenë midis degëve të tij, tërë kafshët e fushës pillnin nën degët e tij, dhe të gjitha kombet e mëdhenj rrinin në hijen e tij.
7 Ishte i bukur në madhështinë e tij për gjatësinë e degëve të tij, sepse rrënja e tij ndodhej pranë ujrave të bollshme.
8 Kedrat nuk ia kalonin në kopshtin e Perëndisë, selvitë nuk arrinin të barazonin degët e tij dhe gështenjat nuk ishin as si degët e tij me gjethe; asnjë dru në kopshtin e Perëndisë nuk ishte i barabartë me të nga bukuria.
9 E kisha bërë të bukur në bollëkun e degëve të tij, prandaj e kishin zili të gjithë drurët e Edenit, që ndodheshin në kopshtin e Perëndisë".
10 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se është ngritur në lartësi dhe ka vënë majën e tij ndër degë të dendura dhe zemra e tij u bë krenare për shkak të lartësisë së tij,
11 do ta jap në dorë të kombit më të fuqishëm, me qëllim që të bëjë me të çfarë i pëlqen; unë e përzura për shkak të ligësisë së tij.
12 Të huajt, më të tmerrshmit e kombeve, e prenë dhe e braktisën; degët e tij kanë rënë në male dhe në të gjitha luginat, degët e tij ndodhen të thyera pranë të gjitha rrjedhave ujore të vendit; tërë popujt e dheut kanë zbritur duke u larguar nga hija e tij dhe e kanë braktisur.
11 Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju kam shkruar me dorën time!
12 Të gjithë ata që duan të duken të mirë në mish, ju shtrëngojnë që të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqeni për kryqin e Krishtit.
13 Sepse as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që ata të mburren në mishin tuaj.
14 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.
15 Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re.
16 Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë.
17 Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.
18 Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.