Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Zanafilla 3:8-15

Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit.

Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: "Ku je?".

10 Ai u përgjigj: "Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha".

11 Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?".

12 Njeriu u përgjigj: "Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra".

13 Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej sajj".

14 Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: "Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.

15 Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj".

Psalmet 130

130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.

O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.

Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?

Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.

Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.

Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.

O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.

Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.

2 e Korintasve 4:13-5:1

13 Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: “Unë besova, prandaj fola,” edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,

14 duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju.

15 Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit.

16 Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.

17 Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie;

18 ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.

Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.

Marku 3:20-35

20 Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s’mund të hanin.

21 Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: “Nuk është në vete.”

22 Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: “Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve.”

23 Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: “Si mund Satanai të dëbojë Satananë?

24 Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.

25 Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.

26 Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi!

27 Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t’ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.

28 Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t’u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë;

29 po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm.”

30 Sepse ata thoshnin: “Ai ka një frymë të ndyrë!.”

31 Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin.

32 Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë.”

33 Por ai u përgjigj atyre duke thënë: “Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?.”

34 Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!

35 Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!.”