Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Joeli 2:1-2

I bini borisë në Sion dhe jepni kushtrimin në malin tim të shenjtë! Le të dridhen të gjithë banorët e vendit, sepse dita e Zotit po vjen, është e afërt,

po vjen dita e territ dhe e errësirës së dendur, ditë resh dhe mjegulle. Ashtu si përhapet agimi mbi malet, po vjen një popull i shumtë dhe i fuqishëm, të cilit kurrkush nuk i ka ngjarë më parë dhe as nuk do të ketë më kurrë për shumë breza që do të vijnë.

Joeli 2:12-17

12 "Prandaj tani," thotë Zoti, "kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime".

13 Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja dhe kthehuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ai është i mëshirshëm dhe plot dhemshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe pendohet për të keqen që ka dërguar.

14 Kush e di, ndoshta kthehet dhe pendohet, dhe lë pas tij një bekim, një ofertë ushqimesh dhe një libacion për Zotin, Perëndinë tuaj?

15 I bini borisë në Sion, shpallni një agjërim, thërrisni një kuvend solemn.

16 Mblidhni popullin, shenjtëroni kuvendin, mblidhni pleqtë, mblidhni fëmijët dhe foshnjat e gjirit. Të dalë dhëndrri nga dhoma e tij dhe nusja nga dhoma e saj e nusërisë.

17 Midis portikut dhe altarit le të qajnë priftërinjtë, ministrat e Zotit, dhe le të thonë: "Fale, o Zot, popullin tënd dhe mos ia lër trashëgiminë tënde turpit apo nënshtrimit nga ana e kombeve. Sepse do të thonë midis popujve: "Ku është Perëndia i tyre?"".

Isaia 58:1-12

58 "Bërtit sa të mundësh, mos u kurse; ngrije zërin tënd si një bori dhe shpalli popullit tim shkeljet e tij dhe shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij.

Më kërkojnë çdo ditë dhe dëshirojnë të njohin rrugët e mia, si një komb që zbaton drejtësinë dhe nuk braktis ligjin e Perëndisë të tij; më kërkojnë gjykime të drejta dhe dëshirojnë t’i afrohen Perëndisë.

Ata thonë: "Pse kemi agjëruar, dhe ti nuk e ke parë? Pse kemi hidhëruar shpirtërat tona dhe ti nuk e ke vënë re?". Ja, ditën e agjërimit tuaj ju bëni atë që ju pëlqen dhe i detyroni punëtorët tuaj të kryejnë një punë të rëndë.

Ja, ju agjëroni për grindje dhe mosmarrëveshje dhe për të goditur pabesisht me grusht. Duke agjëruar ashtu si bëni sot, nuk bëni që zëri juaj të dëgjohet lart.

A është ky agjërimi të cilin e pëlqej, dita në të cilën njeriu pikëllon shpirtin e tij? Të përkulësh kokën si xunkthi dhe të shtrihesh mbi një shtrat prej thesi dhe hiri? A e quan këtë vallë agjërim dhe ditë që i pëlqen Zotit?

Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë?

A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?

Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.

Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: "Ja ku jam!". Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,

10 në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.

11 Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.

12 Njerëzit e tu do të rindërtojnë rrënojat e lashta, dhe ti do të ngresh përsëri themelet e shumë brezave të shkuara; kështu do të quhesh riparuesi i të çarave, restauruesi i shtigjeve për të banuar në vend.

Psalmet 51:1-17

51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.

Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,

Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.

Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.

Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.

Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.

Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.

Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.

Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.

10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.

11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.

12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.

13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.

14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.

15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.

16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.

17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.

2 e Korintasve 5:20-6:10

20 Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë!

21 Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.

Dhe, duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë,

sepse ai thotë: “Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova.” Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit.

Ne nuk japim asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë;

por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica,

në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime,

me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur,

me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë,

në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq;

si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë;

10 si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.

Mateu 6:1-6

“Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t’ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.

Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta,

që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.

Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.

Mateu 6:16-21

16 Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t’u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

17 Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën,

18 me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht.

19 Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,

20 përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.

21 Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.