Revised Common Lectionary (Complementary)
5 Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.
2 Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.
3 O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres,
4 sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja.
5 Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.
6 Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues.
7 Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë.
8 O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,
9 sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka.
10 Dënoji ata, o Perëndi; mos u realizofshin synimet e tyre; përsëri për të këqijat e shumta që kanë kryer sepse kanë ngritur krye kundër teje.
11 Por le të gëzohen tërë ata që kanë strehë te ti, le të nxjerrin klithma gëzimi përjetë, sepse ti i mbron; le të ngazëllohen ata që duan emrin tënd,
12 sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë.
4 Por kjo nuk i pëlqeu aspak Jonas, i cili u zemërua.
2 Kështu ai iu lut Zotit, duke thënë: "Ah, o Zot, a nuk ishte vallë kjo që unë thoja kur isha akoma në vendin tim? Prandaj ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe që pendohesh për të keqen e hakërruar.
3 Tani, pra, o Zot, të lutem, ma hiq jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se sa të rroj".
4 Por Zoti i tha: "A të duket e drejtë të zemërohesh kështu?".
5 Atëherë Jona doli nga qyteti dhe u ul në lindje të qytetit; atje bëri një kasolle dhe u ul nën të, në hije, që të mund të shikonte çfarë do t’i ndodhte qytetit.
6 Atëherë Zoti Perëndi përgatiti një bimë që u rrit përmbi Jonan, për t’i bërë hije kokës së tij dhe për ta çliruar nga e keqja e tij; dhe Jona ndjeu një gëzim të madh nga kjo bimë.
7 Të nesërmen në të gdhirë Perëndia dërgoi një krimb që i ra bimës, dhe kjo u tha.
8 Kur u ngrit dielli Perëndia solli një erë mbytëse nga lindja, dhe dielli i ra në kokë Jonas, që e ndjeu veten të ligështuar dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Për mua është më mirë të vdes se sa të rroj".
9 Perëndia i tha Jonas: "A të duket e drejtë të zemërohesh kështu për bimën?". Ai u përgjigj: "Po, është e drejtë për mua të zemërohem deri në vdekje".
10 Por Zoti tha: "Ty të erdhi keq për bimën për të cilën nuk je munduar dhe nuk e ke rritur, dhe që një natë u rrit dhe në një natë mbaroi.
11 Dhe mua nuk duhet të më vijë keq për Niniven, qytetin e madh, në të cilin ka njëqind e njëzetmijë veta që nuk dijnë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre, dhe një sasi të madhe kafshësh?".
26 Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: “Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë.”
27 Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar.
28 Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia.
29 Dhe Fryma i tha Filipit: “Afrohu dhe arrije atë karrocë!.”
30 Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: “A e kupton atë që lexon?.”
31 Ai tha: “E si do të mundja, po s’pata një që të më udhëzojë?.” Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij.
32 Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: “Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet.
33 Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka.”
34 Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: “Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?.”
35 Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli Jezusin.
36 Dhe, ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend me ujë. Dhe eunuku tha: “Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?.”
37 Dhe Filipi tha: “Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh.” Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.”
38 Urdhëroi atëherë të ndalet karroca, dhe të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën në ujë dhe ai e pagëzoi.
39 Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; por e vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim.
40 Por Filipi u gjet në Azot; dhe, duke vazhduar, ungjillëzoi të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare.