Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 15

15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?

Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,

që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.

Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;

nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.

Eksodi 32:1-14

32 Por populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha: "Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë çfarë i ka ndodhur".

Aaroni iu përgjigj atyre: "Hiqni unazat prej ari që janë në veshët e grave tuaja, të bijve tuaj, dhe të bijave tuaja dhe m’i sillni mua".

Kështu tërë populli hoqi unazat prej ari që kishin në veshët dhe ia çoi Aaronit,

i cili i mori nga duart e tyre dhe, mbasi i modeloi me daltë, bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: "O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!".

Kur Aaroni pa këtë, ngriti një altar përpara tij dhe vuri kasnecë që thanë: "Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!".

Të nesërmen ata u ngritën herët, ofruan olokauste dhe çuan fli falënderimi; populli u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer.

Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar;

u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"".

Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë.

10 Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t’i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh".

11 Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit tënd që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?

12 Pse duhet që Egjiptasit të thonë: "Ai i nxori për t’ju bërë të keq, që të vriten mbi malet dhe për t’i shfarosur nga faqja e dheut"? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t’i bërë keq popullit tënd.

13 Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre: "Unë do të shumëzoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe do t’u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë"".

14 Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen që kishte thënë se do t’i bënte popullit të tij.

Jakobit 1:1-8

Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje!

Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,

duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.

Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.

Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.

Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.

Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,

sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.