Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:97-104

97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.

98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.

99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.

100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.

101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.

102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.

103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.

104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

Nehemia 9:16-31

16 Por ata dhe etërit tanë u sollën me mendjemadhësi, e fortësuan zverkun e tyre dhe nuk iu bindën urdhërimeve të tua.

17 Kundërshtuan të bindeshin dhe nuk kujtuan mrekullitë që ti kishe bërë midis tyre; ngurtësuan përkundrazi zverkun e tyre dhe në rebelimin e tyre zgjodhën një kryetar për t’u kthyer në skllavërinë e tyre. Por ti je një Perëndi i gatshëm që të falë, shpirtmadh, plot mëshirë, i ngadalshëm në zemërim dhe plot mirësi. Ti nuk i ke braktisur,

18 as atëherë kur bënë një viç prej metali të shkrirë dhe thanë: "Ky është perëndia yt që të nxori nga Egjipti!"; kështu bënë një gjë blasfeme.

19 Megjithatë në shpirtmadhësinë tënde të madhe nuk i ke braktisur në shkretëtirë; kollona e resë nuk u largua prej tyre gjatë ditës për t’i udhëhequr ata në ecje, dhe kollona e zjarrit gjatë natës për t’ua ndriçuar atyre rrugën nëpër të cilën do të ecnin.

20 Ke dhënë Frymën tënde të mirë për t’i mësuar; nuk ua ke refuzuar manën tënde gojëve të tyre dhe u ke dhënë ujë kur ishin të etur.

21 Për dyzet vjet i ke ushqyer në shkretëtirë, dhe nuk u ka munguar asgjë; rrobat e tyre nuk u prishën dhe këmbët e tyre nuk u ënjtën.

22 U dhe gjithashtu mbretëri dhe popuj, duke u caktuar krahinat më të largëta; kështu ata shtinë në dorë vendin e Sihonit, vendin e mbretit të Heshbonit dhe vendin e Ogut, mbretit të Bashanit.

23 I shumëzove bijtë e tyre si yjet e qiellit dhe i fute në vendin në të cilin u kishe thënë etërve të tyre të hynin për ta shtënë në dorë.

24 Kështu bijtë e tyre hynë dhe zotëruan vendin; ti ke poshtëruar para tyre banorët e vendit, Kananejtë, dhe i dhe në duart e tyre bashkë me mbretërit e tyre dhe me popujt e vendit, me qëllim që ata të bënin çfarë t’u pëlqente.

25 Ata pushtuan qytete të fortifikuara dhe një tokë pjellore dhe hynë në zotërim të shtëpive plot me të mira, të sternave të gatshme, të vreshtave, të ullishteve dhe të pemëve frutore me bollëk; ata hëngrën, u ngopën, u majmën dhe jetuan në gëzim për shkak të mirësisë sate të madhe.

26 Megjithatë ata u treguan të pabindur, u rebeluan kundër teje, e hodhën ligjin tënd prapa krahëve, vranë profetët e tu që u bënin thirrje të riktheheshin te ti dhe kryen gjëra blasfeme.

27 Prandaj ti i dhe në duart e armiqve të tyre, që i shtypën; por në kohën e fatkeqësisë së tyre ata klithën te ti, dhe ti i dëgjove nga qielli, dhe ti, me dhembshurinë tënde të madhe, u dhe atyre disa çlirimtarë që i shpëtuan nga duart e armiqve të tyre.

28 Por kur ata kishin paqe, fillonin përsëri të bënin të keqen përpara teje; prandaj ti i braktise në duart e armiqve të tyre, që i sundonin; megjithatë, kur përsëri këlthitnin, ti i dëgjoje nga qielli, kështu që në shpirtmadhësinë tënde i ke çliruar shumë herë.

29 Ti i nxisje të ktheheshin në ligjin tënd, por ata bëheshin krenarë dhe nuk u bindeshin urdhërimeve të tua, dhe mëkatonin kundër dekreteve të tua me anën e të cilëve, në qoftë se dikush i zbaton në praktikë, shpëton jetën; hiqnin shpatullat e tyre nga zgjedha, e fortësonin zverkun e tyre dhe kundërshtonin të bindeshin.

30 Pate durim me ta shumë vjet me radhë, duke i nxitur me Frymën tënde dhe me gojën e profetëve të tu, por ata nuk deshën të të dëgjojnë; atëherë ti i dhe në duart e popujve të vendeve të ndryshme.

31 Por në mëshirën tënde të madhe nuk i shkatërrove plotësisht dhe nuk i braktise, sepse je një Perëndi zemërbutë dhe i mëshirshëm.

Efesianëve 6:21-24

21 Por, që ta dini edhe ju si jam dhe çfarë bëj, Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik në Zotin, do t’ju informojë për të gjitha;

22 të cilin pikërisht për këtë qëllim po ju kam dërguar, që të jeni në dijeni të gjendjes sonë dhe të ngushëllojë zemrat tuaja.

23 Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht.

24 Hiri qoftë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jezu Krisht me sinqeritet.