Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 34:15-22

15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.

16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.

18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.

19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

Jozueu 22:1-9

22 Pastaj Jozueu thirri Rubenitët, Gaditët dhe gjysmën e fisit të Manasit dhe u tha atyre:

"Ju keni zbatuar të gjitha ato që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju kishte urdhëruar dhe i jeni bindur zërit tim lidhur me ato që ju kam porositur.

Ju nuk keni braktisur vëllezërit tuaj gjatë kësaj kohe të gjatë deri më sot dhe keni zbatuar urdhrat që Zoti, Perëndia juaj, ju ka porositur.

Dhe tani që Zoti, Perëndia juaj, i ka lënë të pushojnë vëllezërit tuaj, ashtu siç u kishte premtuar, kthehuni dhe shkoni në çadrat tuaja në vendin që ju përket, dhe që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka caktuar matanë Jordanit.

Vetëm kini kujdes të zbatoni urdhërimet dhe ligjin që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka dhënë, duke e dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha rrugët e tij, duke zbatuar të gjitha urdhërimet e tij, duke qendruar sa më afër tij dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt".

Pastaj Jozueu i bekoi dhe u dha urdhër të largohen, dhe ata u kthyen në çadrat e tyre.

Moisiu i kishte dhënë gjysmës së fisit të Manasit një trashëgimi në Bashan, kurse Jozueu i dha gjysmës tjetër një trashëgimi midis vëllezërve të tyre, nga kjo anë e Jordanit, në perëndim. Kështu, kur Jozueu i ktheu në çadrat e tyre, i bekoi,

dhe u foli atyre, duke thënë: "Ju po ktheheni në çadrat tuaja me pasuri të mëdha, me një numër të madh bagëtish, me argjend, me flori, me bronz, me hekur e një numër të madh rrobash; ndani me vëllezërit plaçkën e armiqve tuaj".

Kështu bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u kthyen, duke i lënë bijtë e Izraelit në Shilon, në vendin e Kanaanit, për të shkuar në vendin e Galaadit, pronë e tyre dhe që e kishin marrë simbas urdhrit të dhënë nga Zoti me anë të Moisiut.

1 Thesalonikasve 5:1-11

Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj,

sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.

Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri," atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.

Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë në befasi si një vjedhës.

Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.

Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.

Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.

Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.

Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,

10 i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.

11 Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.