Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 36

36 Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: "Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.

Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.

Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.

Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen".

O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.

Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.

O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;

ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.

Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.

10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.

11 Mos më vëntë këmbën kryelarti dhe dora e të pabesit mos më marrtë me vete.

12 Ja, ata që kryejnë paudhësi kanë rënë; i kanë rrëzuar për tokë dhe nuk mund të ringjallen përsëri.

Zanafilla 45:1-15

45 Atëherë Jozefi nuk e përmbajti dot më veten para tërë të pranishmëve dhe briti: "Nxirrini jashtë të gjithë nga prania ime!". Kështu nuk mbeti asnjëri me Jozefin kur ai u tregoi vëllezërve të tij se kush ishte.

Dhe qau aq fort sa që e dëgjuan edhe vet Egjiptasit, dhe ky lajm arriti edhe në shtëpinë e Faraonit.

Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë jam Jozefi, a është ende gjallë ati im?". Por vëllezërit e tij nuk mund t’i përgjigjeshin, sepse ishin të tronditur thellë në praninë e tij.

Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Afrohuni, pra, tek unë!". Ata iu afruan dhe ai u tha: "Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt.

Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.

Në fakt u bënë dy vjet që ra zija e bukës në vend; dhe do të ketë pesë vjet të tjera gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret.

Por Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t’ju shpëtuar jetën me një çlirim të madh.

Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia; ai më caktoi si atë i Faraonit, si zot i krejt shtëpisë së tij dhe si qeveritar i tërë vendit të Egjiptit.

Nxitoni të riktheheni tek ati im dhe i thoni: "Kështu thotë biri yt Jozefi: Perëndia më ka caktuar si zot i gjithë Egjiptit; zbrit tek unë, mos u vono;

10 ti do të banosh në vendin e Goshenit dhe do jesh afër meje; ti dhe bijtë e tu, bijtë e bijve të tu, kopetë e bagëtive të imta e të trasha dhe gjithçka ti zotëron.

11 Dhe atje unë do të të ushqej, sepse do të ketë edhe pesë vjet të tjera zije, me qëllim që ti të mos katandisesh në mjerim: ti, familja jote dhe gjithçka zotëron".

12 Dhe ja, sytë tuaja dhe sytë e vëllait tim Beniaminit shohin që është goja ime që ju flet.

13 Tregojani, pra, atit tim tërë lavdinë time këtu në Egjipt dhe gjithçka patë, shpejtoni ta sillni atin tim këtu".

14 Pastaj iu hodh në qafë vëllait të tij Beniamin dhe qau, dhe Beniamini qau i shtrënguar në qafën e tij.

15 Ai puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij dhe qau i shtrënguar me ta. Pastaj vëllezërit e tij filluan të flasin me të.

Veprat e Apostujve 7:9-16

Patriarkët, duke pasur smirë Jozefin, e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të;

10 dhe e shpëtoi nga të gjitha mundimet e tij dhe i dha hir e urtësi para Faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e caktoi guvernator të Egjiptit dhe të mbarë shtëpisë së tij.

11 Por ra një zi buke dhe u bë një shtrëngesë në gjithë vendin e Egjiptit dhe të Kanaanit, dhe etërit tanë nuk gjenin ushqime.

12 Por Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dhe dërgoi atje herën e parë etërit tanë.

13 Herën e dytë Jozefi u tregoi që ta njihnin vëllezërit e tij dhe Faraonit iu njoftua farefisnia e Jozefit.

14 Atëherë Jozefi dërgoi ta thërresin atin e vet Jakobin dhe gjithë farefisin e vet, gjithsej shtatëdhjetë e pesë veta.

15 Jakobi zbriti në Egjipt, ku vdiq ai dhe etërit tanë.

16 Ata pastaj i mbartën në Sikem dhe i varrosën në varrin që Abrahami pati blerë me argjend nga bijtë e Emorit, ati i Sikemit.