Revised Common Lectionary (Complementary)
36 Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: "Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.
2 Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.
3 Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.
4 Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen".
5 O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.
6 Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.
7 O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;
8 ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.
9 Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.
10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.
11 Mos më vëntë këmbën kryelarti dhe dora e të pabesit mos më marrtë me vete.
12 Ja, ata që kryejnë paudhësi kanë rënë; i kanë rrëzuar për tokë dhe nuk mund të ringjallen përsëri.
43 Por zija ishte e madhe në vend;
2 dhe kur mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, i ati u tha atyre: "Kthehuni për të na blerë pak ushqime".
3 Por Juda iu përgjegj duke thënë: "Ai njeri na ka paralajmëruar haptas duke thënë: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në qoftë se vëllai juaj nuk do të jetë me ju".
4 Në qoftë se ti e nis vëllanë tonë me ne, ne do të zbresim dhe do të të blejmë ushqime;
5 por në rast se nuk e nis, ne nuk kemi për të zbritur, sepse ai njeri na tha: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në rast se vëllai juaj nuk do të jetë me ju"".
6 Atëherë Izraeli tha: "Pse më dhatë këtë dhembje duke i thënë atij njeriu që kishit edhe një vëlla?".
7 Ata iu përgjigjën: "Ai njeri na pyeti me shumë kujdes për ne dhe farefisin tonë, duke thënë: "Gjallë është ende ati juaj? Keni ndonjë vëlla tjetër?". Dhe ne u përgjigjëm në bazë të këtyre pyetjeve të tij. Ku të na shkonte nga mendja që ai do të na thoshte: "Silleni këtu vëllanë tuaj"?".
8 Pastaj Juda i tha Izraelit, atit të tij: "Lëre fëmijën të vijë me mua, dhe do të çohemi dhe do të shkojmë në mënyrë që të rrojmë dhe jo të vdesim, si ne ashtu dhe ti e të vegjëlit tanë.
9 Unë bëhem garant për të; do t’i kërkosh llogari dorës sime për atë. Në rast se nuk e rikthej dhe nuk e vë para teje, do të jem fajtor para teje për gjithnjë.
10 Po të mos ishim vonuar, në këtë orë do të ishim kthyer për të dytën herë".
11 Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha atyre: "Po të jetë ashtu, veproni në këtë mënyrë: merrni në trastat tuaja disa nga prodhimet më të mira të vendit dhe i çoni atij njeriu një dhuratë: pak balsam, pak mjaltë, disa aroma e mirrë, fistikë dhe bajame.
12 Merrni me vete dyfishin e parave dhe kthejani paratë që ju vunë në grykën e trastave tuaja, ndofta ka qenë një gabim.
13 Merrni edhe vëllanë tuaj, dhe çohuni dhe kthehuni tek ai njeri;
14 dhe Perëndia i plotfuqishëm t’ju bëjë të gjeni hir para atij njeriu, kështu që ai të lirojë vëllanë tjetër tuajin dhe Beniaminin. Sa për mua, po të jetë se duhet të mbetem pa bijtë e mi, ashtu qoftë!".
15 Ata, pra, morën me vete dhuratën si dhe dyfishin e parave dhe Beniaminin; u ngritën dhe zbritën në Egjipt dhe u paraqitën para Jozefit.
6 Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.
2 Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: “Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.
3 Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t’ua besojmë këtë detyrë.
4 Kurse ne do të vazhdojmë t’i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës.”
5 Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.
6 I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.
7 Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.