Revised Common Lectionary (Complementary)
81 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.
2 Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.
3 I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.
4 Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.
5 Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;
6 "O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.
7 Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)
8 Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!
9 Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.
10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.
11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.
12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.
13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!
14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.
15 Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.
16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".
17 Elia, Tishbiti, një nga banorët e Galaadit i tha Ashabit: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, në prani të të cilit unë ndodhem, nuk do të ketë as vesë as shi gjatë këtyre viteve, veçse me fjalën time".
2 Pastaj fjala e Zotit iu drejtua atij, duke thënë:
3 "Largohu që këtej, ktheu nga lindja dhe fshihu pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.
4 Do të pish ujë në përrua dhe unë i kam urdhëruar korbat që të të japin të hash atje".
5 Kështu ai u nis dhe veproi sipas fjalës të Zotit; shkoi dhe u vendos pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.
6 Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes dhe bukë e mish në mbrëmje, dhe pinte ujë në përrua.
7 Mbas një farë kohe përroi shteroi, sepse nuk binte shi mbi vendin.
8 Atëherë Zoti i foli, duke thënë:
9 "Çohu dhe shko të vendosësh në Sarepta të Sidonëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin".
10 Ai u ngrit, pra, dhe shkoi në Sarepta; sapo arriti në portën e qytetit, ai pa një të ve që mblidhte dru. Ai e thirri dhe i tha: "Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi".
11 Ndërsa ajo po shkonte për të marrë ujin, ai e thirri dhe i tha: "Më sill edhe një copë bukë".
12 Ajo u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia yt, bukë nuk kam, por kam vetëm një dorë miell në një enë dhe pak vaj në një qyp; dhe tani po mbledh dy copa dru për t’i përgatitur për vete dhe për djalin tim; do t’i hamë dhe pastaj kemi për të vdekur".
13 Elia i tha: "Mos ki frikë; shko dhe bëj si the; por më parë bëj një kulaç të vogël për mua dhe sillma; pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd.
14 Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ena e miellit nuk do të mbarojë dhe qypi i vajit nuk do të pakësohet deri ditën, që Zoti të dërgojë shiun mbi tokë"".
15 Kështu ajo shkoi dhe veproi sipas fjalës së Elias; dhe kështu hëngrën ajo, Elia dhe gjithë familja e saj për një kohë të gjatë.
16 Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias.
5 Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,
2 edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.
3 Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush;
4 as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime.
5 Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.
6 Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes.
7 Mos jini, pra, shokë me ta.
8 Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës,
9 sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë,
10 duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë.
11 Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni,
12 sepse ato që bëjnë ata në fshehtësi, është turp edhe të thuhen.
13 Kurse të gjitha gjërat, kur dalin në dritë, bëhen të dukshme, sepse çdo gjë që shfaqet është dritë.
14 Prandaj Shkrimi thotë: “Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty.”