Revised Common Lectionary (Complementary)
111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.
2 Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.
3 Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.
4 Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.
5 Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.
6 Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.
7 Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,
8 të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.
9 Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.
10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.
24 Pastaj Perëndia i tha Moisiut: "Ngjitu te Zoti, ti dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu si dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit, dhe adhuroni nga larg;
2 pastaj Moisiu do t’i afrohet Zotit; por të tjerët nuk do t’i afrohen, as populli nuk ka për t’u ngjitur bashkë me atë".
3 Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë".
4 Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
5 Pastaj dërgoi bij të rinj të Izraelit për të ofruar olokauste dhe për të flijuar dema të rinj si theror falënderimi ndaj Zotit.
6 Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar.
7 Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: "Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi".
8 Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: "Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve".
9 Pastaj Moisiu dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit u ngjitën,
10 dhe panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, e qartë si qielli vetë.
11 Por ai nuk e shtriu dorën kundër krerëve të bijve të Izraelit; dhe ata e panë Perëndinë, dhe hëngrën dhe pinë.
22 Edhe për këtë arsye u pengova shumë herë të vij tek ju.
23 Por tani, duke mos pasur më fushë veprimi për të ungjillizuar në këto vise, dhe duke pasur prej shumë vjetësh mall të vij tek ju,
24 kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, t’ju shoh dhe të më përcillni deri atje, pasi të kënaqem, sado pak, me ju.
25 Por tani unë po shkoj në Jeruzalem, për t’u shërbyer shenjtorëve,
26 sepse atyre nga Maqedonia dhe Akaia u pëlqeu të japin një ndihmesë për të varfërit që janë ndër shenjtorët e Jeruzalemit.
27 Kjo u pëlqeu atyre me të vërtetë, sepse u janë debitorë; sepse, në qoftë se johebrenjtë, pra, janë bërë pjestarë bashkë me ta për të mirat frymërore, kanë detyrë t’u shërbejnë atyre edhe me të mira materiale.
28 Si ta kem kryer këtë punë dhe t’ua kem dorëzuar këtë fryt, do të shkoj në Spanjë, duke kaluar nga ju.
29 Dhe unë e di se, duke ardhur tek ju, do të vij në tërësinë e bekimeve të ungjillit të Krishtit.
30 Dhe ju bëj thirrje, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua,
31 që unë të shpëtoj nga të pabesët në Jude, dhe që shërbesa ime që po bëj për Jeruzalemin t’u pëlqejë shenjtorëve,
32 që unë të vij tek ju, në dashtë Perëndia, dhe të freskohem bashkë me ju.
33 Edhe Perëndia e paqes qoftë me ju të gjithë. Amen.